SOT, DITË PELEGRINAZHI, NË TEQENË E GOLIMBASIT, VLORË

Ditën e sotme, në praninë e besimtarëve të trevës, u zhvillua riti tradicional, në teqenë e Golimbasit, në Gjyshatën Bektashiane në Vlorë. Teqeja e Golimbasit, ndodhet në prefekturën e Vlorës, në rajonin e Kudhësit. Teqeja është e njohur nga e gjithë zona, si teqeja e Haxhi Baba Ahmet Aliut, e vjetër, por nuk kemi të dhëna të plota për datën e themelimit të saj. Ndoshta, duhet të jetë themeluar në mezin e shek. të XVIII-të. Pas tij, ka drejtuar baba Shuaipi, e në vijimësi, nga baba Zenjel Kruja. Për veprimtarin e këtij të fundit, toponimet flasin për ‘të si: Çezma e baba Zenjelit në afërsi të teqesë; lisat e baba Zenelit, tek varret etj. . Pas tij deri në vitin 1902 ka punuar baba Sali Matohasanaj, i cili u arrestua nga turqit dhe u dërgua në Tripoli të Libisë, për vuajtjen e dënimit. Ai ishte  përhapësi i njohur i gjuhës shqipe në Tepelenë dhe Vlorë. Më pas ka qenë i njohur baba Bektashi (1913-4.6.1961), i cili në këtë teqe shëroi baba Arshiun e vogël dhe e përgatiti dervish, i cili, më pas, shkoi në teqenë e Shkozës. Kanë vazhduar klerikë të tjerë, si dervish Rakip Aliaj nga Mazhari, (1910-1960); dervish Hajredin Palaj etj. U shkatërrua në vitin 1967 nga ligji për fenë. U rihap mbas vitit 1990 duke u ngritur vetëm një tyrbe kushtuar baballarëve që drejtuan teqen në vite.