KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ’ MERR PJESË NË AKTIVITETIN ‘ESENCA E NJERIUT’, ZHVILLUAR NË ANKONA-ITALI

Ditën e henë, më 12 qershor 2023, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në aktivitetin “Esenca e Njeriut” , Një udhëtim drejt integrimit shpirtëror si element i përbashkët; zhvilluar në Ankona-Itali.
Një aktivitet i zhvilluar me pjesëmarrjen e Prof. Dr. Paolo Scapellato, Shoqata Praxis ; Lindita Elezi, Këshilltar Rajonal; Dr. Elton Kazanxhi, Shoqata EMI Itali në Dhomën e përbashkët të Këshillit të Ankonës, etj.
Në këtë takim, përshëndeti dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në përshëndetjen e Tij, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera theksoi: “…Jam i nderuar e falënderues për secilin prej jush , që përtej angazhimeve gjeni kohën dhe mundësinë për të qënë pjesëmarrës në këtë event, të promovimit të paqes e vlerave njerëzore. Dua të ndaj me ju miq të pranishëm këtë aktivitet si një dhuratë e qetësimit të shpirtit e lartësimit të vlerave, ta duam Zotin, ta duam vëllazërinë në besim, ta bashkëndajmë atë që tepron me njëri tjetrin e në thelb ta vlerësojmë Njerinë. Njeriu nuk është armiku ynë! Është vëllai ynë. Njeriu është sa tërë Bota, është të përmbledhurit e gjithë botës , dhe është një botë. Ai që vret njerinë , ka vrarë tërë botën e bashkë me botën edhe vetë veten. E pra nuk është detyrë lufte me vra njerinë, është krim i rëndë ndaj njerëzimit dhe Zotit . Detyrë lufte është me vra armikun. Por duhet dalluar se cili është armiku që duhet vrarë? A ka armiq njerëzimi që ende sot vazhdojnë luftëra të përgjakshme??? Jo, i vetmi armik është vetë vetja, është egoja, është mendjemadhësia, mendësitë e prapambetura, pangopësia, dhe lufta për pushtet. Ndaj apeli i sotëm shkon brenda kufijve , përtej kufijve në vendet që ende kërcënohen nga luftërat, Ukraina, Afganistani e shumë shtete të pavaruara që luftojnë duke derdhur gjak për mbrojtje territoresh. Mos, mos…… ndalni këtë gjakderdhje e vëllavrasje, po shkatërroni njerinë, po shkatërroni familje, po shkatërroni gjenerata të tëra…..
Thirrja e lutjet drejtohen drejt të Madhit Zot, mbrojë njerinë, jepi fuqinë shpirtërore dhe dërgoji komandantët e tij të diturisë, përvujtësisë, mjaftimin, durimin, bujarinë, dhe turpërimin…
Bota si shenjë kombësie quan gjuhën dhe gjakun , mirëpo asnjëra nga këto nuk mund të jetë një shenjë e vërtetë kombësie për njeriun! Sepse njeriu kur lind nuk sjell me vete asnjë gjuhë, asnjë kombësi, por vetë rritja ja mëson, e nëse do të përziejmë dy gjaqe gjak shqiptari dhe të huaji, ata do të bashkohen e nuk do të qëndrojnë të ndarë, e pra askush përveç Zotit nuk mund ta përçajë e ndajë njerëzimin sepse të gjithë jemi në dorën e Zotit e jo të robit!
E mandej Zoti i dha mendimin e gjykimin dhe e bëri të denjë e të pavarur, e i dha gjithë mundësitë për të qenë i përsosur, si bërthama e bërthamave të botës, por njeriu e keqpërdori, e shfrytëzoi, e nënvlerësoi, nuk diti ta mbante, e ndërsa kërkoi e hulumtoi në të gjithe universin, u shua pa e kuptuar që vetë universi ishte ai.
…Sot është një ditë me të vërtetë nga ditët më të veçanta ku në diskutim kryesor është gjithë universi i njeriut, e doja nëpërmjet kësaj analize të njeriut , t’ju kthej shikimin drejt Zotit e të gjithë ta falënderojmë për të mirat që na ka sjellë e presim të na sjellë, por nëse nuk nxisim respekt tek vetvetja, e mandej në marrëdhënie me të tjerët, është e kotë të presim që kjo botë të ndryshojë. Bota është një det i thellë me vese e dallgë të forta, e secili nga ne duhet të kujdeset që në varkën e tij të mos hyj ujë, e të përmbytet, por duhet t’ia dalë e të forcojë velat për ti bërë ballë dallgëve të forta. Perëndinë e gjejmë tek njeriu i mirë, e nuk na duhet ta kërkojmë nëpër vende të shenjta, as në fe të ndryshme, mjafton besimi që ka në zemër , sepse besimi është drejtësia, e drejtësia është pastrimi i veseve të këqija dhe pajisja me moral të mirë. E nëse një person nuk është vëllai yt në gjak e besim është vëllai yt në njerëzim!Duaje, ndihmoje, respektoje, jepi një dorë kur ka nevojë, dhuroi paqe..Ndryshimi me hapa të shpejtë dhe Globalizmi po bën që vlerat njerëzore të humbasin e ne liderët fetarë nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë që kjo gjë të ndodhë, ishte pikërisht ky qëllimi i fjalës sime për eventin e sotëm! E në përfundim falënderime për të gjithë ju miq e dashamirës të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane që shfaqni interes e dashamirësi ndaj nesh, jo vetëm sot po gjatë gjithë këtyre viteve. Zoti i lartësuar na ndihmoftë të gjithëve ! Amin!”

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ