Ditën e mërkurë të 14 qershorit 2023, nën përkujdesjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Gjyshatës së Korçës, u organizua pelegrinazhi në teqenë e Vrepckës-Moglicë-Korçë. Erdhën në këtë festë bektashiane, besimtarë dhe dashamirës nga fshati Vrepckë, Zerecë, Moglicë, nga zona Gorë-Oparë, Korça, Tirana dhe Tomorrica e Skraparit. Ishin dhe interpretuan grupi polifonik i Shoqatës Bashkuar, Gorë-Oparë me kryetarin Agim Shkëmbi. Në këtë pelegrinazh, mori pjesë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Prefekti i Qarkut Korçë, z. Nertil Jole; nënkryetari i Bashkisë Maliq, z. Eridjon Rustemi; Kryetari i Njësisë Administrative Moglicë, z. Fetah Hoxha dhe përfaqësues të tjerë nga pushteti vendor të Korçës.
Pas hymnit Kombëtar, përshëndeti Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili midis të tjerave, tha: “…Me kënaqësi të veçantë ju uroj të gjithë pjesëmarrësit në këtë ditë të shënuar, mbarësi dhe lumturi në familjet tuaja. Ky vend i mrekullueshme këtu në Vrepckë, këtu në teqenë e baba Feimit, teqe me histori të madhe, të Njësisë Administrative e përkujtojmë sot, si ditë e shënuar pelegrinazhi, i cili do të jetë i përvitshëm, çdo 6 qershor. Kjo teqe, është themeluar në shek. e XIX-të (rreth viteve1860), nga baba Hyseni nga Çorrushi i Mallakastrës. Më pas vazhdoi drejtimin e teqesë baba Hyseni i Vrëpckës, ndërsa më pas, drejtoi baba Nexhip Dobërçani. Në vitin e vështirë 1898, këtë teqe, e drejtoi baba Myslimi i Vrepckës. Në këtë vit, në këtë teqe, është vrarë pabesisht nga koshadhet turke, kaçaku Shahin Matraku, mik i teqesë, i njohur në zonën Gorë-Opar si tribun popullor për drejtësi dhe liri. Pas kësaj ngjarje të dhimbshme dhe tragjike, në periudhën1900-1927, e drejtoi teqenë, baba Bektash Shimi. Ky, shumë shpejt, u bë i njohur baba Feimi, i ardhur nga Devolli në vitin 1927. Baba Feimi, me horizont dhe kulturë, në vitin 1932-1939 e ripërtëriu teqenë që nga themelet. Ai, në vitin 1932, ndërtoi çezmën e bukur monumentale me tre qemerë, me mbishkrimin: Pini ujë me lezet, kthejeni prap në teqetë!. Më 6 qershor të vitit 1944, gjermanët, vranë baba Feimin. Veprimtaria e baba Feimit është e njohur në gjithë zonën. Baba Feimi ka hapur shkollë në Vrepckë dhe Zerecë. Teqeja e Vrepckës, në vitet 1940-1942, ishte spital për zonën e lirë operative. Në këtë vend, u ngrit një central elektrik. Tradita bektashiane e drejtimit të teqesë vazhdoi me baballarët dhe dervishët në vitet që pasuan: baba Sulejman Aliaj nga Gjakova (1945-1952), baba Riza Jaup Qato nga Novaj i Skraparit (gjatë muaj në vitin 1952), baba Teki Ismail Zenuni nga Këlcyra (vitet 1953-1963), baba Abedin Goxhaj nga Shalësi i Tepelenës (në periudhën 1963-1967).
Baba Feimi i shquar i bektashizmit, bëri sakrifica dhe la gjurmë që nuk harrohet kurrë.
Vëllezër dhe motra! Baballarët dhe dervishët që jetuan dhe predikuan në teqenë e Vrepckës, lanë gjurmë në historinë e zonës Gorë-Oparë, Korçës dhe në gjithë Shqipërinë. Pranë mezareve të tyre, ne përkulemi me respekt të veçantë, sepse jeta dhe vepra e tyre ishte dhe mbeti deri në fund, në shërbim të kombit dhe të Zotit. Sot më jepet rasti t’ju falënderoj dhe t’u bekoj, të gjithë ju që jeni mbledhur sot këtu, të falënderoj ata që kontribuan për ringjalljen e këtij vendi. Dua të falënderoj për punën e mirë dhe kontributin e dhënë në këto 26 vite, tyrbetarin Muhamer Shahu. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”
Në vazhdim, përshëndeti Prefekti i Korçës z. Nertil Jole, i cili, ndër të tjera, tha: “…Në këtë mrekulli të natyrës, teqeja e Vrepckës dhe gjithë zona e Moglicës, kërkojnë vëmendjen tonë për rrugën dhe zhvillimin e mëtejshëm. Kjo teqe e baba Feimit, me famë është edhe monument kulture, që ripërtërin traditën bektashiane. Më pas përshëndeti nënkryetari i Bashkisë Maliqit z. Eridjon Rustemi, Kryetari i Shoqatës së Bashkuar Gorë- Opar-Korçë, Agim Shkëmbi dhe biri i Vrepckës, Mehmet Gëzhilli i Shtëpisë botuese “Argeta”. Në mes të entuziazmit u zbulua pllaka përkujtimore e përgatitur enkas nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, për vrasjen e Baba Feimit nga gjermanët më 6 qershor të vitit 1944.
Ngjalli gjithashtu interes vizita në ekspozitën e përgatitur enkas për këtë ditë nga z. Nuri Çuni, ku jepen nëpërmjet fotove dhe dokumenteve, historia e dervishëve dhe baballarëve të teqesë së njohur të Vrepckës në shekuj. Si dhe tërhoqi vëmendjen dhe këndi i librave nga botimet e Shtëpisë Botuese “Argeta”. Gjallëri i dha kësaj dite edhe grupi polifonik i Shoqatës së Bashkuar Gorë-Opar me këngët dhe vallet tradicional të zonës. U pëlqye kënga për Baba Feimin me tekst nga poetja Lejdo Shqiponja nga Gramshi. Në një koktej shoqërues të kësaj dite dhe biseda të ngrohta nga pjesëmarrësit i dhanë vlera kësaj dite të mrekullueshme dhe u morën detyra dhe përgjegjësi për të mbajtur gjallë frymën bektashiane.