Ditën e sotme, shënon 160-vjetorin e ikjes nga kjo jetë, e baba Sulejmanit, i teqesë së Shtufit, në Gjirokastër, një klerik që ka lënë gjurmë në historinë e besimit të paqtë bektashian, si klerik, atdhetar e arsimdashës. Në këtë ditë, ai përkujtohet në teqenë e Shtufit, ku drejtoi për një periudhë të gjatë, në Selinë e Shenjtë Botërore Bektashiane në Tiranë, si dhe në gjyshatat e tjera Brenda dhe jashtë Shqipërisë. “…Dita e sotme, është një ditë e veçantë përkujtimore, në nderim të 160-vjetorit të largimit nga kjo jetë, i vëllait tonë, baba Sulejmanit, të teqesë së Shtufit në Gjirokastër. Baba Sulejmani, në përmbushjen e devizës sonë ‘Pa atdhe nuk ka fe’, i përkushtuar në Udhën e Hakut, punoi me të gjitha mundësitë si klerik e atdhetar, në mbrojtjen e përhapjen e bektashizmit dhe në mbrojtje të gjuhës e arsimit shqip. Ai, megjithëse provoi persekutimin dhe dënimin me burgim, nuk u tërhoq nga misioni i tij. Ndaj ne e vlerësojmë këtë kontribut të tij dhe apelojmë që shembuj të tillë, të mbeten kurdoherë si nxitje të përmbushjes së misionit tonë të paqtë…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Referuar dokumenteve të kohës, atyre në arkivat tona dhe të huaja, ndeshesh me dëshmi zyrtare të kohës, mbi rolin e klerikut bektashian, baba Sulejmani, jo vetëm në teqenë e Shtufit, në Krujë apo ku ai punoi, por dhe më gjerë, përfshi kontaktet me historian, diplomatë, studiues e personalitete të huaj që kanë vizituar atë kohë Shqipërinë.
Ndër ‘ta, mund të përmendim takimin dhe pritjen që i ka bërë studiuesit e diplomatit Justin Godart, gjatë vizitës që ai bëri në Gjirokastër e Jugun e Shqipërisë, në periudhën 22 mars-13 maj 1921. Godart, ndër të tjera ka shkruar se baba Sulejmani i ka thënë: “… Ne duam te mirën e njerëzimit, punojmë për të zhdukur fanatizmin dhe jemi miqtë e besimtarëve të gjithë feve. …Teqetë kanë qenë gjithnjë qendra të qëndresës kombëtare… Kur u largova nga teqeja, baba Sulejmani më përcolli, bashkë me dervishët e tij deri në mes të rrugës, pavarësisht se binte shi, dhe me përqafoi e më shtrëngoi në zemër. Dervishi më i vjetër më dhuroi një tufë me lule të egra, që kishin një aromë të thjesht..”.