22 qershori 2023, është dita e pelegrinazhit në teqenë e njohur të Melçanit, Korçë.
Teqeja e Melçanit ndodhet në fshatin Melçan të Njësisë Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë. Në këtë vend kanë kaluar misionarë të ndryshëm që kanë predikuar bektashizmin gjatë shek. XIV, por themelimi i saj lidhet me Hysen Dede Horasani, i cili filloi punimet e teqesë së Melçanit në vitin 1640, vit në të cilin dhe ndërroi jetë. Veprën e tij e pasoi Sali Dede Horasani, i cili e pasuroi teqenë. Pas kalimit nga jeta të tij, për një periudhë kohe, teqeja ka qenë pa dervish dhe baballarë. Kështu, deri në shekullin e XIX-të, kur erdhi baba Abdullah, me origjinë nga Kruja. Me ndikimin e Shememi Babait nga Kruja dhe ndihmën e Ali Pashë Tepelenës, u bë një teqe kështjellë. Baba Abullahu e zgjeroi teqenë edhe me dy ndërtesa të tjera, me harqe e zbukurime. Ai drejtoi teqenë për 40 vjet, përkatësisht deri në vitin 1852. Teqeja u dogj në vitin 1826 nga misionarët e Sulltan Mahmudit të II. Shumë baballarë të shquar, punuan në këtë teqe. Kur erdhi baba Hamiti, punoi me përkushtim, punoi vetë një ha tokë qilizmë dhe mbolli bajame. Pas tij erdhi baba Ademi i Backës, i cili zgjeroi pronat, solli dhe ujin e pijshëm me tubacione. Pas tij erdhi baba Hysen Vërleni, një shpirt madh dhe i ditur, bashkëpunonte me patriotët rilindës, me vëllezërit Frashëri, me baba Meleq Shëmbërdhenjin, hapi shkollë shqipe, ku vinin fëmijët e fshatrave Melçan, Porodinë e Vinçan. Në rilindjen kombëtare, ky objekt u bë strehë për mësimin e gjuhës shqipe dhe strehimin e luftëtarëve të lirisë. Këtu u formua çeta e parë në vitin 1906 prej Bajo Topullit, ndihmoi i shquari baba Hysen Vërleni. Në çetë ishin dhe dervishët, Bektash Kozeli e Qazim Llaka. Në vitin 1914 teqeja u braktis dhe u grabit nga andartët grekë. Në këtë periudhë baba Hyseni i dëshpëruar shkoi te miku i tij, në teqenë e Shëmbërdhenjit të baba Meleqit,ku këtu ai kaloi atje nga jeta. La amanet dervishin e tij, baba Zylfon. Edhe ky u internua në Gjirit. Vazhdoi drejtimin e teqesë baba Qazim i Kuçit (1914-1930). Në të gjitha periudhat e historisë kjo teqe la gjurmë historie në shërbim të kombit. Në muajin gusht 1930 me VKM, (2 gusht 1930, nr. 659 i vendimit) u bë qendër e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, të cilën e drejtoi Sali Niazi Dede. Në vitin 1944 u dogj nga gjermanët. Teqe e pasur dhe me prona të mëdha, ka pasuar dhe Hanin e saj në qytetin e Korçës. Drejtuan teqenë: Gjysh Zylfo Vërleni (1940-1944); në vitin 1940, dervish Abdulla Pacomiti; dervish Kamber Starja; dervish Muhamet Dede; dervish Xhemal Melçani; dervish Hysen Greshica; dervish Nebi Çezme; dervish Zejnel Glina dhe dervish Qebir Lekdushi.
U rindërtua në vitin 1949 (deri në 1962), drejtoi teqen baba Zeqiri. Ai bëri 250 myhibë.
Drejtuan dhe dervish Samit Zboqi e dervish Izet Lumani. Më pas, (1963-1967), drejtoi teqenë, baba Kadri Mukollari. U mbyll më 1967. U rihap në vitin 1991. U bë meremetimi i tyrbes së baba Abdullahit dhe në vitin 1996, u hodhën themelet e tyrbes së Hysen Dedeit. Por u bënë ndryshime rrënjësore me ndërtesa të mëdha me mur guri e rreshta të rregullt e ndërtuar tipike e stilit bektashian me të gjitha dhomat e nevojshme tradicionale, mure me harqe dhe zbukurime. Sot janë ndërtuar tre tyrbe të baballarëve, tip kupolë, me mur guri të skalitur. Në periudhën 2018-2020, nga baba Sadik Ibrokodheli, u rindërtua plotësisht me mur guri me një arkitekturë e bukur duke ringjallur ndërtesën që e bëri Ali Pashë Tepelena.