E premtja, 29 qershor, është ditë pelegrinazhi në teqenë ‘Ballëm-Sulltan’, të Ballenjës.
Teqeja e Ballenjës ndodhet në livadhet e Ballenjës në afërsi të shpellës së shenjtë, Njësia Administrative Martanesh, Bashkia e Bulqizës. Ajo është ngritur në formën e një kulle, në vitin 1795, nga populli i Martaneshit, Kostenjës e Grykës së Madhe, me ndihmën e Pashait të Shkodrës, në shërbim të vendit të shenjtë të Ballëm Sulltanit (Piri i dytë i bektashizmit), që ndodhet në malin përballë teqesë. Sipas gojëdhënave, Shpella e Ballenjës, duhet të jetë shumë e hershme. Si institucion i plotë fetar, në vitin 1870, nën drejtimin e baba Hysen Malit, aty ku ishte kulla e Mahmud Pashës, u ngrit teqeja e Ballëm Sulltanit, Teqeja ishte përballë shpellës së Ballëm Sulltanit, Vendit të Mirë, në Balle. Për këtë këndohet kënga:
“Ndriçon si yll drite/
Rrëzë këtij mali,/
Teqeja që ngrite,/
Baba Hysen Mali.”
Ajo është djegur për herë të parë nga serbët, në luftërat ballkanike dhe së dyti, nga italianët në vitin 1942. Teqeja u rindërtua pjesërisht në vitin 1955. Kjo teqe kishte lidhje me teqenë në fshatin Peshk, themeluar nga baba Jashari (të cilat ishin një institucion i përbashkët), rreth një orë e gjysmë larg saj. Të dyja kanë lozur një rol të rëndësishëm patriotik dhe në mësimin e gjuhës shqipe. Në afërsi të teqesë, është shpella e shenjtë, e cila ka kalime të nëndheshme, në drejtime të ndryshme. Hyrja është kompozuar me një portik me harqe dhe kupolë karakteristike të traditës bektashiane. Është interesante se gjatë viteve kanë shërbyer me devotshmëri dervish kandil-ndezës, besnikët e Vendit të Mirë, ku gjatë dimrave, kanë dhënë edhe jetën dervishët: dervish Hasani; besimtari Beqir Zhabolli, dervish i baba Jasharit. Në vijimësi, në këtë teqe shërbyen klerikët, baba Mustafa Xhani (1939-1944). Më pas, deri më 1967, baba Hasim Shehaj; dervish Ibrahim Halil Gjoni; dervish Ethem Mataj.
Teqeja u mbyll në vitin 1967, nga shteti monist. Kulla që u rindërtua, në themelet e saj të hershme, përfundoi në vitin 1999. Më pas, nga baba Hysni Shehu, u ndërtuan komplekset e reja, teqeja dhe ambiente të tjera.
Më 29 qershor të çdo viti, këtu organizohet pelegrinazhi për Ballëm Sulltanin. Iniciatori i parë i këtij pelegrinazhi është intelektuali, Agim Biçaku. Këtë datë pelegrinazhi, në vitin 2003, e miratoi Kryegjyshi, i paharruar Dede Reshat Bardhi.
Objekti, Vendi i Mirë Ballëm Sulltan (guva), pranë teqesë së Vjetër dhe zona e mbrojtur e tij është shpallur “Monument kulture, i kategorisë I-rë, nga Ministria e Kulturës, me urdhër nr. 388 datë 16. 06. 2017.