SOT, DITË PELEGRINAZHI NË TEQENË E SUKËS, PËRMET

Sot, më 5 korrik, në teqenë e Sukës, mblidhen besimtarë të shumtë të trevës e më gjerë, në ditën e pelegrinazhit tradicional vjetor. Ky objekt i njohur bektashian, përmendet jo vetëm si strehë e qëndresës bektashiane në këtë trevë, por dhe si strehë ku drejtues më të lartë të bektashizmit botëror (Këshilli Atnor), kanë qëndruar e drejtuar disa kohë, zbatimin e vendimeve të Kongresit të Parë Bektashian, që u mbajt në Prishtë të Skraparit. “…Është rasti që sot, në këtë ditë të shënuar, ditën e pelegrinazhit tradicional, në teqenë e njohur të Sukës, të kujtojmë e vlerësojmë rolin e vëllezërve tanë klerikë që kanë drejtuar këtë teqe, por dhe faktin se në këtë teqe, për disa kohë, Këshilli Atnor i dalë nga Kongresi i Parë Bektashian i Prishtës, qëndroi, punoi e mori vendime të rëndësishme për ecjen më tej të strukturave bektashiane në Shqipëri e jashtë saj… Njëkohësisht, sot, po bëhen përpjekje që kësaj teqeje ti rikthehet tradita e dikurshme…”-pohoi mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Teqeja e Sukës, ndodhet në Njësinë Administrative të Sukës, Bashkia e Këlcyrës. Ajo, është themeluar nga kleriku , baba Ali Bubësi. Sipas dokumenteve, ajo është djegur në vitin 1914 nga andartët grek. Në vitin 1920, u rindërtua nga dervishët. Pas Kongresit të Parë Bektashian, në janar të vitit 1921, (në teqenë e Prishtës-Skrapar), Këshilli Atnor i zgjedhur, filloi punën për drejtimin dhe organizimin e bektashizmit në Shqipëri, në teqenë e Sukës. Këtu u krijua edhe Selia e Parë për Shqipërinë. Këtu, nën drejtimin e baba Ali Tomorrit. filloi botimi i gazetës bektashiane “Reforma”, e cila pati periudhën e botimit në vitet 1922-1923. Në vitin 1940, deri në vitin 1950, këtë teqe e drejtuan: dervish Abas Hasan; dervish Ibrahim Saliko; dervish Mustafa Sulo’ dervish Islam Ademi; dervish Ethem Pelo; dervish Muhamed Sheme; dervish Ali Ahmet dhe dervish Hysni Velil. Pas vitit 1950, këtu shërbyen: baba Abedin Agaj; dervish Kasëm Plashniku; dervish Esat Lazarati dhe në vitin 1955, baba Abdurraman Hoxha. Teqeja ishte shumë e pasur me prona të mëdha. Në vitin 1967 kjo teqe u mbyll dhe u përdor si zyra, vatër culture e magazine. Më vonë ajo u kthye në qendër shëndetësore, spital, shtëpi lindje, farmaci etj. Paradoksalisht, në trazirat e vitit 1997, asaj iu dogj çatia dhe u rrënua. U rindërtua në vitin 2009. Data 5 korrik e çdo viti, është dita e pelegrinazhit bektashian, ën këtë objekt të shenjtë. Njëkohësisht, sot, po bëhen përpjekje që kësaj teqeje ti rikthehet tradita e dikurshme…”-pohoi mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ