10 KORRIK 2023. PËRKUJTOHET 43-VJETORI I KALIMIT NGA JETA I ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, AHMET MYFTAR DEDE

E hëna e 10 korrikut 2023, është një ditë e shënuar për bektashinjtë; përkujtohet 43-vjetori i kalimit nga kjo jetë, i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Ahmet Myftar Dede.

-“Dede Ahmeti, ishte dhe mbetet një klerik bektashian me merita të jashtëzakonshme, si klerik e atdhetar. Ai, me shembullin e tij, tregoi praktikisht se si materializohet deviza bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe’. Dede Ahmeti, me punën dhe shembullin e Tij, na tregoi se besimi në të Madhin Zot dhe përkushtimi në Udhën e Hakut, janë çelësi i suksesit të dashurisë njerëzore, dashurisë për atdheun, solidaritetit njerëzor dhe mirësisë. Ai, në momentet kur atdheu u pushtua, mori armën në dorë deri në ditën e çlirimit, duke veshur harkanë e shenjtë të klerikut bektashian. Në kohën e drejtimit të Selisë së Shenjtë nga Dede Ahmeti, besimi i paqtë bektashian, njohu një shtrirje të konsiderueshme numerike e gjeografike. Ndaj, ne sot, me një sërë aktivitetesh, këtu në Selinë e Shenjtë në Tiranë dhe në gjyshata të tjera brenda e jashtë Shqipërisë, e kujtojmë me respekt Dede Ahmetin…”– pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Burime zyrtare nga Selia e Shenjtë, konfirmojnë se ndër aktivitetet e ditës së hënë në përkujtim të 43-vjetorit të ndarjes nga jeta të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Ahmet Myftar Dede, do të jenë: -Pritje në Selinë e Shenjtë nga Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, ditën e hënë, nga ora 10:00; -Promovim libri, në orën 11:00 në mjediset e Odeonit; -Ndjekja e një ekspozite fotografike në mjediset e muzeut; -Vizita në galeri, bibliotekë e mjedise të tjera; -Falje për Dede Ahmetin me besimtarët në orën 18:00 të kësaj dite dhe pas saj, një koktej të shtruar me këtë rast.
* * *
Dede Ahmeti, ka lindur më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa në vijimësi, në qytetin e Vlorës. Ai, mbeti jetim që herët, por mundi të trashëgoj prej prindërve, dashurinë për dije dhe dashurinë për atdheun. Prej të afërmeve të vet, u mëkua më pas, me dashurinë për besimin e kulluar bektashian. Pasi mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë, në vitin 1936, shkon ushtar në Dibër. Këtu u njoh me baba Zenel Dumen, nga Çepani i Skraparit, ku mori dashurinë dhe besimin te i madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Në teqenë e Bllacës, ai qëndroi në vitet 1937-1939. Në Bllacë, u vesh dervish nga Baba Zeneli. Në këtë kohë, ishte vetëm 22 vjeç. Një vit më vonë, në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian, zinte vend në zemrat e luftëtarëve.
…Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmet Myftarit, bie në sy të autoriteteve italiane. E thërrasin dhe i thonë se duhet të heshtë, duhet të shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të “Porto-Romanos”. Edhe këtu, shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunist dhe nacionalistë se përpara çdo lloj bindjeje partiake është atdheu. Atij do t’i falemi në çdo kohë, me çdo mjet, në çdo situatë. Me kapitullimin e forcave italiane, e lë kampin e “Porto-Romanos ” dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Madje në një prej këtyre betejave, u plagos rëndë. Shokët e morën në supe dhe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën.
…Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të Qarkut në Martanesh dhe, përpara tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Gjithsesi, brenda zemrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pat dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Ai falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke hedhur në supe arkanë e dervishit bektashi.
Më 2 tetor 1945, merr titullin ‘Baba’ dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit në Elbasan si edhe Kuzum Baba në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Kurse në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar, u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetëra libra për bektashizmin. Në këto vite i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqaneve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua amësimi fetar, u nxorën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen në gjuhën shqipe dhe zëri i bektashizmit u dëgjua më larg se kurrë.
Në Konferencën Ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1956, shpalosi mendimet në referatin e Perëndisë, mbas kësaj filloi përplasja e tij, me shtetin e kohës..
Përndjekja, bëri që dede Ahmet Myftari të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte privacionet në vitet e rënda të internimit së bashku me dervish Reshatin, në Drizar të Mallakstrës. Privacionet dhe torturat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Por, edhe në këto kushte, të dy këta shënjtorë, rrëfyen shpirtin e madh dhe të paepur, rrëfyen vendosmërinë e palëkundur për ta mbajtur të pastër burimin e besimit bektashian.
..Një meritë e padiskutueshme gjithashtu e dede Ahmetit, është fakti që frymën e tij, shenjtërinë e tij të panjollosur, ai përcolli plot dashuri në personalitetin e dede Reshat Bardhit.
Dede Ahmeti, ndërroi jetë më 10 korrik 1980.
Dede Reshati , ka thënë për Dede Ahmetin: “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë, Haxhi Bektash Veliut. Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kruajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijëra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të rraskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të shlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjesi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij. Ligjet e regjimit në fuqi, nuk mund të vepronin përballë ligjeve hyjnorë. Busti i tij hijeshon në qytetin e Vlorës dhe vendlindjen e tij në fshatin Brataj. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Ahmet Myftar Dede. Janë botuar broshura, libra për jetën dhe veprën e e tij, përgatitur filma dokumentarë dhe kalendarë. Ai mbetet nje figurë e shquar kombëtare dhe me vlera të mëdha për bektashizmin.

Vlerësimet për Dede Ahmetin në vite:
-Nga Presidenca, Urdhri për Veprimtari Patriotike të Klasit I (pas vdekjes) 16.07.1993
-Qytetar Nderi i Vlorës (pas vdekjes) 30 .10. 2000
-Figurë e shquar në emetimin e pullave Albpost 2001
-Personaliteti i Labërisë nga Shoqata “Labëria”, 25.02. 2014
-Nga Presidenca, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), 22 shkurt 2016
-“Qytetar Nderi i Komunës Brataj “ (pas vdekjes), gusht 2016
-Vendosja e bustit në qytetin e Vlorës…
-Vendosja e Bustit në Brataj, 2011
-Vendosja e Bustit në Krujë, dhjetor 2021
-Botime librash dhe filma

Fotot: N. ÇUMANI