PELEGRINAZH NË TYRBEN E BABA JASHAR KRENËS, SOPOT

Dita e sotme, 1 gusht 2023, është dita e pelegrinazhit vjetor tradicional në tyrben e baba Jashar Krenës në Sopot të Dibrës, një klerik i njohur ky, për rolin e tij si fetar, arsimdashës e atdhetar. Në këtë pelegrinazh, merr pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, klerikë dhe shumë besimtarë të tjerë të ardhur nga zona të ndryshme të Bulqizës.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kryegjyshi Botëror uroi besimtarët për këtë ditë të madhe, duke u lutur për sa më shumë begati, mirësi e shëndet për të gjithë kombin shqiptar.

Baba Jashari lindi në vitin 1854. Në moshën 17-vjeçare u dorëzua muhib e dervish në Teqenë e Shah Memi Babait në Fushë-Krujë, nga dora e myrshidit të vet, baba Hysen Kukeli, i cili ishte dervish i baba Isufit, dhe ‘Baba’, nga baba Abdullah Melçani, në vitin 1877. Baba Jashari, pas kalimit nga jeta të Baba Hysen Malit, dërgohet në Ballenjë, tek shpella e bekuar e Ballëm Sulltanit. .. Ai u kthye tek gjyshi i tij, dervish Bajram Kalenderi, si për të na thënë; “Se misioni hyjnor në prehrin e Ballëm Sulltanit do të vazhdojë në jetë të jetëve“. Baba Jashari, në vitin 1899 sheh erqanin e lartë të myxheretit, dhe merr titullin Halife në Hazreti Pir – Haxhi Bektash. Këto ceremoni të shenjta ai i pa tek myrshidi i tij madhështor El Haxh Mehmet Ali Dede Baba. Baba Jashari shkruhet se ka vizituar shumë vende të shenjta, si Qerbelanë, Nexhefin, Xhaminë Aksa në Palestinë si dhe pesë gjyshatat e kohës së artë. Baba Jashari, si myxheret dhe halife ka dorëzuar shumë muhibë, nga Elbasani, Kostenja, Martaneshi, Gryka e Madhe, Bulqiza, Kruja dhe Dibra e Madhe.  Ai ka dorëzuar edhe shumë dervishë e baballarë, siç ishin; dervish Selmani, dervish Isuf Tasha i dytë, dervish Ramadan Cani, dervish Avdi Cuka, dervish Shaqir Malin, dervish Rushit Tollen, dervish Hajdarin nga Përmeti të cilin pasi u bë ‘Baba’, e la zëvendësin  e tij me amanet. Nga këta dervishë ai zgjodhi për të qenë baballarët e vazhdimësisë; baba Isufin e dytë, baba Rushit Tollen dhe baba Hajdarin.
Baba Jashar Krena, si vizionar dhe misionar i shquar, në vitin 1883 themeloi teqenë e Bllacës, në luginën poshtë tyrbes së Baba Isufit të parë, duke hapur siparin e udhërrëfimit edhe për Grykën e Vogël.
Në vitin 1898, Ai ndërtoi teqenë e poshtme në fshatin Peshk të Martaneshit. Kjo teqe edhe sot quhet mësonjëtorja dhe teqeja e baba Jasharit. Kjo teqe u shërben besimtarëve gjatë periudhës së dimrit kur malet mbushen me dëborë. Në vitin 1882, baba Jashari ndërtoi tyrben e baba Hysen Malit dhe të Baba Metë Krajkës, në Zerqan. Ai, në teqenë e ngritur në fshatin Peshk të Martaneshit, pikërisht brenda saj, përgatiti vend pushimin e kabrit të tij, në krahun lindor, në katin e parë të teqesë. Baba Jashari e la me amanet, “këtu do të pushoj përkohësisht ku do të kujdesem për këtë truall të shenjtë”.

Nga viti 1967 kur u prishën dhe u sheshuan të gjitha kultet e besimeve në Shqipëri, teqeja e Baba Jasharit shpëtoi për mrekulli. Regjimi i kohës, e ktheu atë në spital, për të mjekuar plagët e trupit, pa ditur se po hap mijëra plagë zemre brenda shpirtit të çdo besimtari. Baba Jashari e kreu misionin e vet duke na lënë amanet teqenë e poshtme që gëzon emrin e tij të shenjtë për t’ju kthyer profecisë së lënë po nga ai vetë ‘këtu në këtë shesh, pranë këtij filizi rrapi’, me dorën e tij nguli një kufi, duke thënë: “Këtu do të vijë koha që trupi im do të pushojë për së dyti, prandaj kjo pemë do të thirret që sot lisi i Baba Jasharit!”. Lisi është një mrekulli hyjnore, ku në skajet e rrënjëve të tij duket kufiri i ngulur nga vete dora e bekuar e baba Jasharit, që rrapi e ka mbështjellë brenda vetes, dhe i duket vetëm koka…

Baba Jashari nuk ishte vetëm predikues i besimit, ai në vetvete ishte një institucion shumë dimensional. Baba Jashari i shërbeu shumë rilindjes kombëtare, këtë e thonë faktet historike. Ai u gjend jo rastësisht në krah të Abdyl Frashërit, ku në Dibër të Madhe u mblodhën dy kuvende, në vigjilje të lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 10 qershor të vitit 1878 Baba Jashari u gjend si delegat i kësaj lidhjeje në mes të Abdyl Frashërit dhe Iliaz Pashë Dibrës. Ky i fundit ishte besnik dhe muhib i Baba Jasharit, dhe si i tillë kuvendi e zgjodhi kryetar të lidhjes. Baba Jashari si vizionar i kohëve të rilindjes kombëtare u pikas shpejt nga shoqata të ndryshme që veprimtarinë e tyre atdhetare e ushtronin jashtë kufijve shtetëror. Mjafton ti referohemi gazetës së përjavshme “Bashkimi i Kombit”, e shtypur në Manastir, në numrin e datës 22 ,e premte e vjeshtës së II të 1909, ku ajo i bën jehonë hapjes së mësonjëtores së parë shqipe në krahinën e Martaneshit. Për këtë iniciativë lëvdohet kuraja dhe mendimi largpamës i At Jashar Krenës, baba i tarikatit të lavdishëm bektashian, i cili teqenë e poshtme, e kthye në shkollën e parë shqipe. Ky tempull i shenjtë i dijes dhe i shpirtit, u themelua nga i përndrituri Baba Ali Jashar Krena në vitin 1908.