Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uron dhe bekon gjithë fëmijët, që sot më 11 shtator, nisën vitin e ri shkollor, duke u dëshiruar atyre, fillim e vazhdim të mbarë në udhën e dijes, si brezi në duart e të cilit do të jetë nesër dhe fati i vendit. Në mesazhin e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, gjithashtu, uron mësuesit për këtë misionin e fisnik që ka të bëj me të ardhmen e kombit, si dhe prindërit, për angazhimin e tyre në ecurinë normale dhe sa më produktive të fëmijëve të tyre, që u ulën këtë vit, në bankat e shkollës.
“…Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, uroj nga zemra dhe bekoj armatën e fëmijëve që sot u ulën në bankat e shkollës në vitin e ri mësimor 2023-2024, veçanërisht ata që nisin sot klasën e parë; prindërit e tyre për përkujdesjen që tregojnë për ‘ta, armatën e mësuesve në gjithë vendit, për misionin e tyre fisnik në mësimin dhe edukimin e brezave të fëmijëve, si dhe institucionet arsimore të vendit, për kushte sa më të mira për akomodim e mësimdhënie në shkolla. Gëzuar fillimvitin e ri mësimor dhe suksese! Zoti u bekoftë të gjithëve!”- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.
…Rreth 450 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në vend, nisin këtë të hënë vitin e ri shkollor. 70 mijë i përkasin kopshteve, rreth 100 mijë janë gjimnazistë dhe 280 mijë në arsimin 9-vjeçar. Për herë të parë u ulën në bankat e shkollës rreth 29 mijë fëmijë që nisin klasën e parë. Për herë të parë në këtë vit shkollorë, në klasë të parë janë pranuar edhe fëmijët që janë 5 vjeç por që brenda vitit do të mbushin 6. Krahas fëmijëve në sistemin arsimor janë edhe 31 mijë mësues, ndërsa procesi mësimor do të zhvillohet në 1700 shkolla në të gjithë vendin.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ