Të dielën, më 24 shtator, mbushen plot 22 vjet, që u nda nga jeta, baba Selim Kaliçani. Kjo ditë e veçantë, në vlerësim të rolit si klerik e atdhetar, ai përkujtohet në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane dhe në gjyshatat e tjera bektashiane. “…Mbushen 22 vjet që u nda nga kjo jetë vëllai jonë nga Peja, baba Selim Kaliçani, por e kujtojmë dhe do ta kujtojmë vazhdimisht, si klerik e atdhetar, për kontributin që ka dhënë. Ai, është ndër ata klerikë, që në momentet më të vështira të kombit, pushtimin e vendit më 1939, u rendit në radhët e ushtrisë partizane, për çlirimin e vendit, duke pasqyruar konkretisht devizën e besimit tonë të paqtë, ‘Pa atdhe, nuk ka fe!’...”- u shpreh ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Baba Selim Kaliçani ka lindur në Pejë të Kosovës, më 29 nëntor të vitit 1922, prej babait, Rexhepit dhe nënës, Hatixhe. Nga babai trashëgoi një shpirt të palëkundur e qëndrestar dhe një urrejtje ndaj çetnikëve serbë, të cilët ja kishin djegur dy here kullën e tyre të madhe. Nga nëna trashëgoi urtësinë e derës bektashiane. Këto tradita prindërore, ai i shfaqi gjatë gjithë ejtës së tij, si klerik dhe atdhetar. Për arsye ekonomike, ai, që në nisje të shkollimit fillor, atij iu desh të ndërpriste mësimet dhe në vitin 1929, ende pa mbushur 12 vitet, nisi të punonte. Në vitin 1935, një nga dajat e tij, mik me Sali Niazi Dede ( që atë kohë, në Tiranë, ishte në krye të Selisë së Shenjtë Bektashiane), bisedon me motrën dhe e dërgojnë Selimin 13-vjeçar në Kryegjyshatë. Këtu, ai qëndroi 7 vjet, krahas punëve të ndryshme që bënte, ai pati fatin e madh të jetonte në frymën e mrekullueshme të atyre dervishëve dhe baballarëve. Në vijimësi, ai ndoqi mësimet në mekanikë. Në vitet 1942-1943, ai punoi si mekanik dhe shofer, si mekanik dhe shofer në Ministrinë e Arsimit. Këtë vit, e lë punën dhe u bashkëngjitet formacioneve luftarake partizane, në luftë për çlirimin e vendit.
Fillimisht bëhet pjesëtar i çetës partizane të Zagorisë, për të kaluar më tej në batalionin e njohur “Hakmarrja”, në çetën e Martaneshit dhe, në fund, në radhët e Brigadës së 3-të Sulmuese. Me ardhjen në krye të Selisë së Shenjtë të Ahmet Myftar Dedes, djaloshi nga Peja, gjeti në Tiranë jo vetëm një mjedis të ngrohtë fetar, por dhe mjediset e një shkolle të vërtetë ku teologë e baballarë, të shkolluar në disa vende, ushtronin dijenitë e thella të tyre, tek gjenerata e re, që trokiste ndrojtur në portën e Haxhi Bektash Veliut.
Në fund të vitin 1949, në mejdanin e Selisë së Shenjtë, në prani të myhibëve, dervishëve dhe baballarëve, u vesh dervish. Falë dijeve të tij mekanike, falë shpirtit të tij të paepur, falë urtësisë së marrë prej viteve plot bekim në teqetë e Shqipërisë, ky klerik mundi të lejë gjurmë të pashlyeshme edhe në Burrel, aty ku e degdisën dhe e përgjonin në çdo hap që hidhte dhe në çdo fjalë që thoshte. Në ndonjë rast feste apo ditë pushimi, fshehurazi ai gjente kohë dhe me ndihmën e dashamirësve të tij, merrte rrugën për në Tiranë, ku takohej me Dede Ahmetin dhe me dervish Reshatin…
Në vitet 1990-2000, ai i rikthehet përkushtimit të bektashizmit, si klerik. ..Me vendosmërinë e baba Selim Kaliçanit, u ngrit teqeja e Shememi-Babait në Fushë-Krujë. Ai pati mbështetjen e Dede Reshatit dhe baballarëve të tjerë dhe punoi me përkushtim në këtë teqe të famshme, derisa kaloi nga jeta.
Ndërroi jetë më 24 shkurt të vitit 2001.