Të martën, më 26 shtator 2023, mbushen 94 vjet, nga mbajtja e Kongresit të III-të Bektashian, në teqenë e Turanit, Korçë, një nga ngjarjet e rëndësishme të historisë tetëshekullore të këtij besimi të paqtë. Kjo ngjarje e shënuar, përkujtohet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe në gjithë gjyshatat bektashiane në Shqipëri e jashtë saj.
Lidhur me rëndësinë e këtij Kongresi, Ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është shprehur:
“Kongresi i III-të Bektashian, që u mbajt më 26 shtator të vitit 1929, në teqenë e Turanit, Korçë, ka qenë dhe mbetet një ngjarje e rëndësishme për miliona bektashinj në Shqipëri dhe gjithë botën… Ky kongres, nder të tjera, miratoi vendosjen e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri dhe miratoi Statutin, organizimin strukturor të gjyshatave etj… Ky kongres, shënoi rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të bektashizmit, ndaj respekti dhe mirënjohja jonë për ata klerikë e atdhetarë, që përgatitën e organizuan këtë kongres, do të jetë kurdoherë prezente…!”
* * *
Kongresi i III-të i Bektashinjve, u mbajt më 26 shtator 1929, në teqenë e Turanit, në Korçë.
Kongresi erdhi si një nevojë për riorganizimin e komunitetit bektashi në territorin shqiptar e më gjerë. Ai pasonte disa kongrese, ku i pari ishte ai në teqenë e Prishtës (Skrapar) mbajtur më 17 janar 1921 dhe kongresi i dytë, në teqenë Hajdarie, (Gjirokastër) në 9 korrik 1924.
Në këtë Kongres morën pjesë 47 delegatë nga ku 34 prej tyre ishin të ftuar (laik), mes tyre edhe prefekti i Korçës Hil Mosi dhe kryebashkiaku Vasil Avrami, ndërsa nga komuniteti bektashi, kryetari Gjysh Kamber Prishta.
Kongresi më datë 28 shtator miratoi Statutin e Komunitetit Bektashian. Personeli fetar duhet të ishte mbi 25 vjeç dhe organizimi i brendshëm do të ishte nën strukturën: Kryegjysh, Këshill Miks, këshilla vendore të gjyshërve, këshilla të prindërve si edhe ofiqarë shërbimi fetar. Komuniteti bektashi është person juridik dhe gëzon të drejtat të personit moral. Komunitet ndahet në Gjyshëri, si ajo e Krujës, Elbasanit, Korçës, Frashërit, Prishtës, Gjirokastrës.
Vendi ku u krye ky kongres, Teqeja e Turanit, u bë qendra e parë Botërore e përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri. Pas këtyre zhvillimeve në mars të 1930 Mbreti Zog emëron Kryegjysh Botëror të Bektashinjve Sali Niazi Dedenë e më pas me vendimin nr. 659, dt. 02.08.1930 vendosi Selinë e Shenjtë Botërore në Tiranë.