Ditën e hënë, 9 tetor 2023, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën “Nga ‘Shteti i Arbërit’ tek Arbëria në shekujt e humanizmit europian”.
Konferencë kjo e organizuar nga Akademia e Shkencave në ambientet e jashtme të kishës së Shën Mërisë, Gëziq, Mirditë.
Konferenca u çel me mirëseardhjen dhe pjesën rituale kishtare (rënia e kambanave etj.) nga Dom Umberto Boero, zëvendësipeshkv dhe drejtor i shkollës Shën Josefi punëtor.
Më pas, fjala hyrëse e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave; per të vazhduar me fjalën përshëndetëse të Vikarit të përgjithshëm të arqipeshkvisë Tiranë-Durrës; fjalën përshëndetëse të kryetarit të bashkisë së Mirditës z. Albert Melyshi; fjalën përshëndetëse nga kryetari i KPM z. Gjin Marku; fjalën përshëndetëse në emër të studiuesve nga prof. Lucia Nadin ose nga prof. Pëllumb Xhufi; Konferenca vazhdoi më pas me ndarjen e çertifikatave të falënderimit nga përfaqësuesit e familjeve me kontribute për ruajtjen e objekteve historike që dëshmojnë ekzistencën e Shtetit të Arbërit 8 shekuj më parë.
Në fund, program artistik, këngë e valle mirditore dhe darka (bufe, në anësoret e jashtme të kishës).
Përshëndetja e Dede Edmond Brahimaj.
“Në emër të Zotit ,Mëshiruesit, mëshirëbërësit! Të nderuar organizator të këtij eventi me rëndësi të lartë të vlerave humane! I nderuar z. Gjin Marku! Të nderuar personalitete të ftuar pjesmarrës! Jam i nderuar të jem pjesë e këtij organizimi tepër të rëndësishëm në kontekstin e kohës ku po jetojmë.
Bektashizmi si një këmbanë patriotike , e vlerave të larta njerëzore e familjare gjithnjë ka qenë një nismëtare dhe kontribuese e mbrojtjes së të drejtave , lirive , e paqes universale.
Kohët në të cilat po jetojmë po vështirësojnë mbijetesën e familjes, po komplikojnë mardhëniet shoqërore, po nxisin luftra të përgjakshme e po tronditisin kombe me histori disavjeçare. Promovimi i të drejtave , paqes dhe rëndësisë së njeriut janë këmbana alarmi për të gjithë ne, udhëheqës të komuniteteve fetare, të cilët gjithnjë e më tepër duhet të promovojmë vlerën dhe rëndësinë e njeriut , familjes e shoqërisë. Ndryshimet e globalizmit, teknologjisë, pajisjeve të sofistikuara të kohëve të fundit, e inteligjencës artificiale, përveç të mirës monetare e fuqizimit ekonomik të kombeve nuk po sjellin gjë tjetër veçse shkatërrim e hapa mbrapa të vlerësimit të rëndësisë së qënies njerëzore.
Mesazhi im është i qartë, luftoni për të drejtën njerëzore, lirinë e mendimit dhe besimit, lartësoni vlerat e ndjenjat njerëzore pozitivisht në të mirë të vetes , familjes e shoqërisë. Kontribuoni sa më shumë në vendin tuaj i cili ka më shumë nevojë se kurrë për ju. E mos e mendoni jetën kalimtare por si një gur të çmuar që Zoti jua ka dhuruar si stoli që do të mbetet edhe kur të kaloni nga kjo jetë me anë të veprave të mira. Çdo njëri prej nesh duhet të luftojë për të drejtat e tij , njohja e të drejtës e mbrojtja e saj është një armë e fortë e lirisë njerëzore.
Në kohët që po jetojmë kur grada e një personi të pandershëm rritet në shoqëri, ai kujdeset më pak për njerëzit e saj. Një person i nderuar do të bënte të kundërtën.
Këtu gjej vendin t’ju paraqes një pasazh nga Zëri i Drejtësisë Njerëzore. Imam Ali vetë thotë: “Isha i shqetësuar dhe i alarmuar që njerëzit e pamend dhe të këqij të mos bëhen sundues të këtij kombi dhe ta bëjnë pronën e Zotit lojën e tyre dhe krijesat e Zotit robër të tyre dhe të luftojnë me të drejtët dhe t’i bëjnë tiranët ndihmës të tyre”.
Duke iu drejtuar njerëzve në kohën e marrjes së betimit të besnikërisë prej tyre, Aliu u tha: “O njerëz! Unë jam një nga ju. Unë gëzoj të njëjtat të drejta që gëzoni edhe ju. Përgjegjësitë e mia janë gjithashtu të njëjta me tuajat. Asgjë nuk mund ta zhvlerësojë të vërtetën. (d.m.th. një sundimtar ose kalif nuk mund të ndryshojë urdhrat e Zotit”.
Aliu i shkroi njërit prej guvernatorëve të tij si më poshtë: “Mbajtja e këtij posti nuk të jep të drejtë të grumbullosh pasuri ose të hakmerresh nga ndonjë person. Detyra juaj e vetme është që të shkatërroni të pavërtetën dhe të ringjallni të vërtetën.” E bektashizma gjithnjë ka luftuar për kombin, të drejtat e të vërtetën ndaj dhe sot gjej rastin t’ju rikujtoj që të mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet shkëlqejnë më shumë. E drejta më e madhe që gjithësecili prej nesh ka është nga vetë Zoti i Lartësuar dhe kjo është rrënja e të gjitha të drejtave të tjera …. E drejta më e madhe e Zotit të Lartësuar është ta adhuroni Atë , të bëheni njerëz të denjë për veten familjen e shoqërinë. Nëse e bëni këtë me pastërtinë e zemrës, Ai premton se do t’ju japë mjaftueshëm atë që ju nevojitet këtu dhe në botën tjetër. Edhe një herë falenderime e përgëzime për këtë organizim me tematikë të vlefshme për kohët në të cilat po jetojmë. Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin! ”
Përgatiti: XH. ÇULLHAJ