216-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQËS SË KOSHTANIT, TEPELENË DHE 115-VJETORI I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

Ditën e dielë, 15 tetor 2023, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Gjyshata Bektashiane Gjirokastër dhe teqeja bektashiane Koshtan, zhvilluan pelegrinazhin tradicional vjetor që këtë vit përkon edhe me 115-vjetorin e Shkollës së Parë Shqipe.
Më 15 Tetor 2006 në teqen e Koshtanit u organizua festa për shpalljen e saj: ” Monument Kulture të Kategorisë së Parë” dhe vendosjen e pllakës përkatëse.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi në fjalën e Tij theksoi se teqeja e Koshtanit, me baballarët dhe dervishët e saj, ka qenë dhe mbetet vatër e dijes, e atdhedashurisë, e shqiptarizmit.
Dhe kjo e vërtetë historike lidhet edhe me hapjen e shkollës së parë shqipe në 15 tetor 1908.
15 tetori në Koshtan mban mbi supe një barrë historike.
Lidhja simbolike e datave për hapjen e shkollës së parë Shqipe dhe shpallja Monument Kulture i bën nder historisë, trashëgimisë dhe sakrificave të të parëve.
Baba Ahmeti ndezi pishtarin e diturisë duke udhëtuar mbi errësirën me sakrifica e vendosmëri.
Hapja e shkollës është lulja e parë në pemën e lirisë.
Teqeja e Koshtanit, zë një vend të rëndësishëm në historinë mbi tetë shekullore të tarikatit të paqtë bektashian, jo vetëm si një qendër e edukimit të besimtarëve e përhapjen e këtij besimin në Jugun e Shqipërisë, por dhe si një qendër atdhetare dhe e arsimimit shqip.
Teqeja e Koshtanit, ka një konstrukt të veçantë si objekt, me dhoma të bollshme, mejdanin, dhomën e pritjes e bisedave, ashefin, kuzhinën, mensën, dhomat e fjetjes etj, ka qenë në kohëra edhe një qendër e pasur ekonomike.
Në kushtet ilegale të zhvillimit të arsimit shqiptar, në vitet më pas, në bankat e shkollës së teqesë u ulën nxënës jo vetëm nga Tepelena, por dhe Vlora, Mallakastra e Përmeti.
Sipas dokumenteve, kjo teqe me emër është themeluar në vitin 1807 prej baba Sadikut me origjinë nga Turballia e Greqisë, i ndihmuar ky dhe nga Shememi Babai i Krujës. Ajo ka qenë një qendër e rëndësishme në krahinën e Tepelenës, krahas përhapjes së bektashizmit, por edhe për rolin që ka luajtur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare nëpërmjet aktivitetit të baballarëve të shquar si, baba Ahmedi, baba Kasua, baba Nurja, që janë ndër klerikët e parë që e drejtuan këtë teqe dhe kanë lënë gjurmë në historikun e saj. Aktiviteti i tyre fetar e atdhetar vazhdoi dhe më pas nga klerikët që drejtuan si: baba Muharremi, baba Ismaili, baba Shefqeti Gllava, baba Abedin Greshica, dervish Muharrem Zhapokika, dervish Ibrahim Zhapokika; baba Abedin Agaj me dervish Hysen Merdani, dervish Demir Xhakaj, devish Xhafer Sinamemaj, dervish Hamza Xhelilaj, baba Adem Maksutaj, (deri në vitij 1963) dhe, në vitin 1967 me baba Myrteza Tinari, dervish Myrteza Kamberi, baba Lutfi Memushaj, dervish Xhafer Sinomemaj. Marsi i vitit 1967 shënon dhe mbylljen e kësaj teqeje me emër, mbi bazqën e vendimit shtetëror të kohës që ndaloi me ligj ushtrimin e besimeve fetare në Shqipëri dhe ushtrimin e aktivitetit të objekteve të kulteve. Baballarët që vazhduan më pas dhe ringritja mbas vitit 1990 me baba Abdyl Shehun, teqeja ruan traditën bektashiane dhe qëndron si një kështjellë monument i historisë kombëtare.