Mbrëmjen e së dielës, më 22 tetor 2023, në Odeonin e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u zhvillua takimi përkujtimor për 85-vjetorin e lindjes së ‘Dervishit të Nderit”, Pëllumb Katroshi, i ndarë nga jeta, vite më parë.
Merrnin pjesë klerikë bektashian e të besimeve të tjerë fetarë; besimtarë, artistë të Teatrit të Operës e Baletit (ku Katroshi ka punuar për disa vite); besimtarë të shumtë etj. Aktivitetin e hapi Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili mbajti dhe fjalën përshëndetëse.
Ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, tha: “Të nderuar pjesëtar të familjes së Pëllumb Katroshit!
Të nderuar përfaqësues të Teatrit Operave dhe Baletit! Të nderuar klerikë! Të nderuar profesorë! Të nderuar pjesëmarrës!
Sot ne përkujtojmë 85 vjetorin e lindjes të Pëllumb Katroshit. Pëllumbin e kemi sot të gjallë, shpirtin e tij, pasi ai, ringjalli këngën bektashiane. Me familjen e tij dhe Pëllumbin jemi njohur herët, si nga prindërit e mi, ashtu edhe unë, kur ai erdhi në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane si punonjës i saj prej 8 vitesh. Familja e tij fisnike ishte e njohur me traditën bektashiane, ishin të pranishëm në Kryegjyshatë në çdo ceremoni dhe, myhibë në periudhën e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede gjatë vitit 1931-1941. Ai lindi në një familje, me tradita në besimin bektashian, e cila i dha Pëllumbit kulturën bektashiane. Është interesant, se kur ka lindur Pëllumbi, , në tetor të vitit 1938, familja e çoi në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në Selinë e Shenjtë, në Tiranë. Atëherë, ish-Kryegjysh Botëror Sali Niazi Dede sipas traditës bektashiane babai, do i vinte emrin fëmijës së lindur dhe, Kryegjyshi i vuri emrin Pëllumb, emër i bukur. Dhe Pëllumbi u rrit si pëllumb, i cili la gjurmë në veprën e tij, që ne sot përkujtojmë. Pëllumb Katroshi punoi me përkushtim dhe u mor gjatë gjithë kohës jo vetëm me arkivin në grumbullimin e dokumenteve arkivore, por sidomos me këngën bektashiane. Ai do merrte pjesë në çdo veprimtari të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe në gjyshatat e Shqipërisë dhe ato jashtë vendit. Ashtu i thjeshtë, modest dhe i komunikueshëm, ai fitoi jo vetëm respektin e klerikëve, besimtarëve dhe dashamirësve kudo që ai shkonte në teqe dhe veprimtaritë e ndryshme sipas kalendarit vjetor bektashian. Në këtë udhëtim të këngës, ai nxori vlera e këngës, melodive dhe nefeset, gazelet bektashiane i mblodhi dhe i përpunoi në vite deri sa në vitin 2006, nxori librin” Gurgullima shpirti”. Në këtë libër, jepet mistika në gjuhën e shpirtit, në to shpërthen zëri i shpirtit tonë, mendja, dija, urtësia e mirësia e të Madhit Zot, konceptohet simbolikisht se bektashizmi është udhë mistike Islame që mbart në vetvete, dashurinë ndaj Zotit, bashkimin, urtësinë vëllazërinë dhe paqen globale në dashurinë e njeriut për njeriun. Mirënjohje të gjithëve, paçi bekim në familjet tuaja. I paharruar qoftë kujtimi i Pëllumb Katroshit!”
Në vijimësi, sollën kujtimet e tyre, Zhani Ciko, Zana Turku, Edmond Tollumi dhe Nuri Çuni. Këtyre diskutantëve, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u dorëzoi simbolin e Selisë së Shenjtë Bektashiane, ndërsa familjarëve të Pëllumb Katroshit, u dorëzoi ‘Certefikatë Mirënjohje”, (pas vdekjes), akorduar, akorduar artistit dhe dervishit të nderit.
Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti, Saimir Katroshi, djali i Pëllumbit.
Pas interpretimit të disa pjesëve, nga artistë të Operës e Baletit, ky takim përkujtimor, u mbyll me një koktej, i përgatitur për këtë rast.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ
Fotot: N. ÇUMANI