PËRKUJTOHET 20-VJETORI I KALIMIT NGA JETA, I BABA HAXHI SALIAJT

Sot mbushen 21-vjet të largimit nga kjo jetë e baba Haxhi Saliajt, ngjarje e cila përkujtohet në institucionet bektashiane të vendit, veçanërisht në Teqenë e Zallit, Gjirokastër, ku ai shërbeu vitet e fundit të jetës.
“…Duke përkujtuar këtë datë të shënuar, ne vlerësojmë kontributin e baba Haxhiut, dhënë kryesisht në trevën e jugut të vendit, por dhe të vëllezërve tanë klerikë, që si fetarë e atdhetarë, gjithmonë kanë qenë në krahun e duhur të njerëzimit, pranë e mes tyre, me dashurinë e shpresën, për Zotin e Madh .Personalisht kam pasur fatin e madh ta takoj, të bisedoj dhe të kaloj ditë e net’ të tëra, të bukura por edhe të dhimbshme, me baba Haxhi Saliajn. U njohëm dhe punuam së bashku në kohën e ndryshimeve të mëdha, në atë kacafytje shpesh herë vrastare të sistemeve politikë. … Baba Haxhiu, çdo fjalë, çdo kuvend, çdo zgjidhje, e përcolli kurdoherë përmes asaj fisnikërie përvuajtëse që na kujtonte baballarët e shekujve të mëhershëm…”-pohon mes të tjerave Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
…Baba Haxhi Saliaj, ka lindur në fshatin Ninësh të Mallakastrës, më 10 dhjetor të vitit 1936. Ai u rrit dhe edukua me traditat e vyera të tarikatit bektashian.
Kur ishte 17 vjeç, në vitin 1953, falë lidhjeve të thella shpirtërore me bektashizmin, Haxhi Saliaj pranohet si myhib (praktikant i tarikatit) në teqenë e Harakopit, dikur qëndër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare për Tepelenën. Më pas dërgohet në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ku pas dy vitesh shkollë si edhe një varg cilësish të larta morale të rrëfyera, fiton të drejtën të konsakrohet si dervish në rrugën e Haxhi Bektash Veliut.
Viti 1967, me ndalimin e fesë me ligj, kleriku Saliaj, nuk i shpëtoi persekutimit, deri në vitin 1990, kur ndodhën ndryshimet politike dhe ushtrimi i fesë u rivendos me ligj.
Në vitin 1994, Haxhi Saliaj, konsakrohet me titullin “baba” dhe deri sa kaloi nga kjo botë në më 23 tetor 2003 dha një kontribut të vyer në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Me emrin e baba Haxhi Saliaj, lidhen organizimet strukturorë, këshillat e teqeve, ndërtimi i tyrbeve të reja dhe ringritja e atyre të vjetra në krejt gjyshatën e Gjirokastrës, duke i dhënë një hov të madh gjithë lëvizjes bektashiane në jugun e Shqipërisë.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ