150-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQESË SË DRIZARIT, NË MALLAKASTËR

Ky 5 nëntor 2023, shënon 150-vjetorin e themelimit të teqesë së Drizarit në Mallakastër, një prej teqeve më të rëndësishme në Shqipëri. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj jep mesazhin për këtë përvjetor të rëndësishëm: “Në vitet 1958-1967 teqeja u kthye në vend pelegrinazhi për të gjithë besimtarët që vinin nga Kruja, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri dhe Mallakastra e takonin Dede Ahmetin dhe dervish Reshat Bardhin që ishin të internuar në teqenë e Drizarit. Dede Ahmeti, kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kurajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e Dede Ahmetit. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh dhe drizash pafund, me rolin e pazëvendësueshëm, me përgjegjësinë gati hyjnore, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Teqeja e Drizarit ka një histori të tërë shekullore, qysh nga viti 1873. Në këtë periudhë erdhën tre dervish, dervish Xhelua u bë babai i parë i teqesë. U ngrit tek përroi i thatë mulliri i teqesë. Te rrapi u bë çezma poshtë në Vodicë që merrej ujë më krah ose me kafshë për teqenë. Pranë çezmës, ishte edhe parcela e perimeve. Për forcimin ekonomik të teqesë, ka dhënë kontribut të veçantë që nga viti 1873, Maliq Zenel Pashaj. Baba Xhelua, (i cili kaloi nga jeta në vitin 1916), bekoi shumë luftëtarë trima drizariot në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës, kundër andartëve grekë. Teqeja pati rol të rëndësishëm në përhapjen e bektashizmit, kryente ceremonitë e ndryshme si lutje, rite e festa fetare, Sulltan Nevruzin, Ashuren, Barjamin e Madh dhe të Vogël, mbante gjallë besimtarët dhe popullin me dashurinë për atdheun. Drejtuan teqenë baballarët e tjerë, si baba Xhaferi, i cili vazhdoi rrugën e baba Xhelos por pati jetë të shkurtër. Më pas, drejtoi teqenë baba Rakipi me origjinë nga fshati Gllavë (1920-1940). Ai u bë frymëzuesi i ndjenjave shpirtërore të gjithë popullit të Drizarit, por edhe në fshatrat, Hekal, Klos, Kremenar, Ninësh të Mallakstrës. Vazhdoi drejtimin e teqesë baba Rizai, i dërguar nga teqeja e Krahësit(1941-1952). Pas tij, drejton teqenë dervish Muharrem Goxhaj (1952-1955). Këtu në periudhën (1958-1967), në vitet e internimit, kanë drejtuar teqenë Dede Ahmeti, dervish Reshat Bardhi dhe dervish Seit Xhani. Kleriku Reshat Bardhi, drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vitet (1991-2011). Teqeja e Drizarit, u mbyll me ndalimin e fesë me ligj, në vitin 1967 dhe u rihap pas vitit 1990. Dede Ahmeti dhe dervish Reshati, në periudhën e internimit (1958-1967) e rimëkëmbën teqenë dhe e bënë një vend të rëndësishëm pelegrinazhi, edhe pse surverioheshin nga sigurimi i shtetit monist. Në çdo 5 nëntor, në këtë teqe, zhvillohet pelegrinazhi tradicional. ”

Përgatiti: Xh.  ÇULLHAJ