KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, HAXHI DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ, MESAZH URIMI PËR 28-29 NËNTORIN

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me rastin e festave të 28-29 Nëntorit 2023, nëpërmjet një mesazhi, Bekon dhe uron të gjithë shqiptarët kudo ku janë, duke bërë apel për më shumë punë e përkushtim, më tepër paqe e dashuri vëllazërore, më tepër harmoni e besim të palëkundur në Zot, për të përballuar situatat që po kalojmë, drejt një jete më të mirë dhe të begatë.
Për Dede Edmond Brahimajn, përkujtimi i këtyre datave të shënuara për këtë vit, sidomos manifestimi mbarëkombëtar në Tiranë, shoqëruar me aktivitete të shumta e të larmishme, me praninë e institucioneve shtetërore e lokale nga hapësirat mbarëkombëtare shqiptare, nga komunitete shqiptarësh nëpër botë, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara shqiptare e miq të shumtë, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot, mëshiruar në devizën e njohur bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe’.
“Në këto dy ngjarje të shënuara, 28 dhe 29 nëntorin, uroj e bekoj të gjithë besimtarët, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedonin e Veriut, Malin e Zi e kudo që jetojnë e punojnë nëpër botë! Paçin më tepër dashuri vëllazërore, harmoni, mirëkuptim, respekt e unitet, shpresë e besim tek Zoti i Lartë, për një jetë më të mirë e më të begatë. Lartësimi i vlerave atdhetare kombëtare, vlerësimi i kontributeve të dhënë në udhën e historisë, janë e do të mbeten kurdoherë vlera të shenjta për të gjithë brezat. Duke qenë së bashku, duke predikuar triumfin e së mirës ndaj të ligës, humanen ndaj indiferencës, bashkëjetesën, ne mundemi të përballojmë më mirë problemet e mprehta që përballet shoqëria e njerëzimi sot.
Organizimi i këtyre evenimenteve sivjet në mënyrë të organizuar në Tiranë, me një program të ngjeshur aktivitetesh me praninë e zgjeruar të institucioneve shtetërore e lokale nga hapësirat mbarëkombëtare shqiptare, nga komunitete shqiptarësh nëpër botë, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara shqiptare e miq të shumtë, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot. Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Baba Edmond Brahimaj.