NË DITËN E ÇLIRIMIT, PËRKUJTOHET, ISH-KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE, SALI NJAZI DEDE “DËSHMOR I ATDHEUT”

Mbrëmjen e 28-nëntorit, në Ditën e Flamurit, në mjediset e Odeonit të Selisë së Shenjtë Bektashiane, në Tiranë, u përkujtua përvjetori i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dedei. Aktiviteti u përgatit nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Ishte po vetë Dede Edmond Brahimaj, që moderoi dhe këtë aktivitet të rëndësishëm. Kishin ardhur në këtë event klerikë bektashian e të besimeve të tjerë fetarë në Tiranë, studiues, personalitete të fushave të ndryshme, besimtarë e miq të shumtë nga treva të Shqipërisë e jasht saj.

Për jetën dhe veprën e Sali Niazi Dede, kumtoi Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj. Ndër të tjear ai theksoi: “Përkujtojmë sot në ditën e Flamurit, dëshmorin e Atdheut Sali Njazi Dede, në ditën e rënies heroike në krye të detyrës për mbrojtjen e bektashizmit shqiptar, ballkanas dhe botëror. Ishte koha kur Rilindja Kombëtare po gjallëronte ndjenjën atdhetare, doktrina bektashiane po gjente mbështetje gjithnjë e më të gjerë në popull. Kjo dhe për shkak të besimit me realitetin shqiptar e ballkanik, por dhe për frymën tolerante që përcillte. Për të riun Sali Njazi ndikimi i teqesë së Starjes, të Leskovikut, të Qesarakës dhe Kreshovës, lanë gjurmë të thella, për imazhin e pastër dhe real të bektashizmi. Në moshën 8 vjeçare u gjend në Stamboll, ku ndoqi mësimet në Haxhi Bektash. Falë trashëgimisë shpirtërore shqiptare, u fut në rrugën plot mirësi bektashiane në vitin 1897. Ai tërhoqi vëmendjen e Kryegjyshit Haxhi Fejzi Dedeit pasi dorëzohet si dervish në rrugën e Hakut, mori mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed dhe çelësat e diturisë mistike. …Kështu Kryegjyshit Bektashian Haxhi Fejzi Dedei, këshilli i lartë gjyshnor, e cakton Sali Njazi në postin e lartë të udhëheqjes, duke i treguar botës bektashian vlera të veçantë të edukimit, përmes të cilave lindin e rritnin njerëz me tipare të tillë shpirtërorë. Kur Mustafa Qemal Ataturku vizitoi teqenë e Haxhi Bektashit, mori mbështetjen morale dhe materiale të Sali Njazi Babait dhe Xhemaladin Çelebiut për luftën çlirimtare. Ishte ky hirësi në detyrën e kryegjyshit botëror që protestoi tek Qemal Ataturku, kur parlamenti u mbylli teqetë, dhe pse bektashinjtë e kishin ndihmuar në luftën e viteve 1923-1924 për çlirimin e vendit. Kryegjyshi Botëror Sali Njazi Dede, me origjinë shqiptar nga Starja e Kolonjës mendoi për transferimin e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri, u këshillua me këshillat gjyshërore dhe erdhi në Shqipëri më 28 janar 1930. Drita ishte çelur në Shqipëri falë vendimeve historike të Kongresit të Lushnjës i cili mori në mbrojtje besimet fetare. Kryegjyshata Botërore bektashiane ka histori të hershme dhe sot është një nga të katër komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri që gëzon autorit të plotë. Me punën e tij të palodhur Hirësia e Tij, Kryegjyshi Sali Njazi, fis shqiptar, njihej si Papa i gjithë bektashinjve të botës, u vendos në Tiranë si Kryegjysh i Shqipërisë dhe Krye i madh i këtij besimi. Ishte hirësia e tij që bëri kongrese, miratoi strukturë dhe bëri organizimin e bektashizmit. Më doktrinë bektashiane bëri që shqiptarizma të shtrihej dhe në hapësira të tjera ballkanike. Korrespodenca e Sali Njazi Dede me mjaft teqe në Ballkan e botë zgjidhi probleme të pronave, të personelit dhe të doktrinës së bektashizmit. Mbështetur në këtë doktrinë u manifestua qëndrimi në kryegjysh në Ballkan, por sidomos në Shqipëri që mbajti hapur dhe shtoi teqetë dita-ditës. Duke qenë një drejtues i aftë, ai ishte dhe krijues i talentuar i letërsisë fetare, sepse ishte një atdhetar i madh. Mëndja dhe dora e tij nuk firmosi pushtimin e vendit nga Italia më 1939. Ai kishte ndjenjën e lartë të atdhedashurisë dhe e ngriti bektashizmin në Shqipëri në një përmasё të re historike, duke pasuruar traditën bektashiane që vazhdon dhe sot. Me këtë qëndrim vërtetoi thënien e Haxhi Bektash Veliut se me fikjen e dritës nga Lindja, ajo ka për t’u ndezur në Perëndim.
Kur parlamenti turk urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në perandorinë osmane, Sali Njazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Natyrisht ai e dinte fort mirë se bektashizmi në trevat shqiptare kishte kaluar shekuj që ish lindur dhe rritur, ndaj dhe transferimi i qendrës botërore të këtij besimi, po shihej si një ogur i bardhë për shqiptarët, pavarësisht se çfarë feje i përkisnin. Janë disa letërkëmbime midis tij dhe Mbretërisë shqiptare në vitin 1929, të cilat nxjerrin në pah jo vetëm dëshirën e këtij kleriku për t’u vendosur në Shqipëri, por dhe garancitë pa asnjë interes të Mbretit Zog, për ndihmën e nevojshme. Kjo padyshim bëri që Sali Njazi Dede duke u këshilluar me këshillat gjyshërore në vende të ndryshme, me Mbretërinë Shqiptare mori vendimin për të prurë qendrën botërore bektashiane në Tiranë. Ky akt madhor, qëndron plot dinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme të shqiptarëve, përgjatë historisë së bektashizmit në Shqipëri, Ballkan dhe në botë.
Sali Njazi Dede, erdhi në Shqipëri me idenë e qartë për rritjen e besimit bektashian, pikërisht në jugperëndim të Europës të krishterë. Kleriku i shquar predikoi frymën tradicionale të besimit bektashian dhe të besimtarëve të thjeshtë. Mbretit Zog duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Njazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. …Me kujdes fetar dhe intelektual përgatiti kongrese dhe statute bektashianë, si klerik i devotshëm, ishte i pari në zbatimin konkret të kodeve zakonorë bektashiane. Kudo në doktrina ai shfaqi urtësi dhe thjeshtësi emblematike, ruajti traditën brenda besimit, nguliti pavarësinë e ideve dhe të veprimit, edukoi ndenjën e atdhetarisë, si dhe mëri të natyrshme ndaj pushtuesit. Për të gjitha këto vlera atdhetare Sali Njazi Deden në 28 nëntorin e vitit 1941, u vra nga dora armike, duke menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashian. Sali Njazi Dedej ra dëshmor për kryerjen e misionit të tij të shenjtë. Të gjithë klerikët kanë dëshmuar atdhetari dhe dlirësi shpirtërore po aq sa myrshidi i tyre, i rënë theror, duke mos u pajtuar me pushtuesin, me tiranitë dhe idetë që e vdisnin lirinë njerëzore. Figura emblematike e Sali Njazi Dedeit është nderuar dhe në emetimin e pullës shqiptare në vitin 2001. Ai ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” vendim nr. 505, datë 20.12.2011, Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, nga Presidenca është vlerësuar me “Urdhrin e Klasit të Parë” në vitin 1993 dhe “Nderi i Kombit” në vitin 2019. Këto dhe të tjera vlerësime i bëjnë nder jo vetëm besimit bektashian, por krejt Shqipërisë dhe botës. Kjo figurë e ndritur prej kleriku dhe martiri do të mbetet përjetësisht një figurë komplekse, e cila do të mbetet dhe një shembull i shkëlqyer dinjiteti, krenarie, mirësie dhe atdhedashurie. Sali Njazi Dede ishte dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit, ishte modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë. Ai na e mësoi rrugën, kështu duhet të ecim…”

….Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Baba Edmond Brahimaj, drejtoi gjithashtu dhe ritet fetare në nderim t ëish-Kryegjyshit Botëror, Sali Niazi Dedei.
Të pranishmit, pas ceremonisë, vizituan me interes ekspozitën fotografike, kushtuar jetës dhe veprës së Sali Niazi Dedei.
Në fund, bashkëbisedimi vazhdoi në koktein e përgatitur me këtë rast.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ
Fotot: N. ÇUMANI