KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ, PRET NË SELINË E SHENJTË ZËVENDËS AMBASADORIN E SHBA NË TIRANË, DAVID WISNER

Zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. David Wisner, bëri sot (e mërkurë, 20.12.2023), një vizitë në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ku u prit nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Kjo është vizita e parë në Selinë e Shenjtë e diplomatit të SHBA, që nga ardhja e tij me punë në Kryeqytetin e Shqipërisë. Zëvendës Ambasadori Wisner, shoqërohej nga një grup diplomatësh të kësaj Ambasade në Tiranë.
Dede Edmond Brahimaj e falenderoj Zëvendës Ambasadorin për këtë vizitë të rëndësishme dhe në vijimësi, zhvilluan një bisedë të gjatë pune. Kryegjyshi e njohu mikun e nderuar me punën dhe problemet e Selisë së Shenjtë në Tiranë e, kudo në Shqipëri e jashtë saj, përmbushjen e misionit fetar e atdhetar të besimit të paqtë bektashian, për forcimin e bashkëjetesës fetare, forcimin e unitetit, harmonisë e dashurisë njerëzore pa dallim feje, etnije, race e bindjesh. Njëkohësisht, Zëvendës Ambasadori Wisner, evidentoi rolin e njohur të bektashinjve në përmbushjen e misionit të tyre fetar e shoqëror dhe, në veçanti angazhimin në këtë mision të Dede Mondit, si Kreu i Bektashizmit,.
Vizita dhe bashkëbisedimi, u vlerësuan si vijimësi e bashkëpunim i ndërsjelltë mes palëve, që do të pasohet në të njëjtën udhë dhe në të ardhmen.
Njëkohësisht, diplomatët amerikanë, vizituan dhe Odeonin e bektashinjve, muzeun, bibliotekën, galerinë dhe objekte të tjera, duke shprehur admirimin dhe mbështetjen për
punën e bërë dhe objektivat që kanë bektashinjtë për të ardhmen.
Vizita e diplomatëve amerikanë në Selinë e Shenjtë Bektashiane, vjen pas përfundimit të një vizite të gjatë pune, që Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj, bëri në SHBA.

Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ
Fotot: N. ÇUMANI