Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, uron dhe bekon besimtarët dhe gjithë qytetarët, në Shqipëri dhe kudo jashtë saj, me rastin e Vitit të Rin 2024, shëndet e lumturi, paqe e harmoni, më shumë dashuri njerëzore e solidaritet, përballë sfidave të kohës.
Ndër të tjera, në këtë mesazh, Dede Edmond Brahimaj pohon: “…Më tepër se sa një pikë ndërrim të një stafete kohore, ikja e një viti dhe nisja e Vitit të Ri 2024, le të jetë për të gjithë një çast reflektimi për rritjen e dashurisë dhe besimit tek i Madhi Zot, për më shumë paqe, mirësi e harmoni mes njerëzve, për solidaritet njerëzor e bamirësi, për bashkim zemrash e forcave në funksion të së mirës. Viti i Ri është si një faqe e re e bardhë e librit të jetës, për të nisur nga e para çdo marrëdhënie vëllazërore, çdo situatë e ngjarje, që Zoti na e sjell e na bekon prandaj, lërini inatet e marazet, xhelozitë e mëritë, egon dhe kryelartësinë, por prisni me durim e buzëqeshje çdo të mirë e begati që Zoti do t’ju sjellë!
Urime për një Vit të Ri me shëndet, të paqtë e të begatë! Paçi vetëm lumturi e begati në familjet tuaja! Zoti u bekoftë! Amin!”