BEKTASHINJTË, PËRKUJTOJNË 104- VJETORIN E KONGRESIT KOMBËTAR TË LUSHNJËS

Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me rastin e 104 vjetorit të Kongresit të Lushnjës organizoi të premten më 26 janar 2024, në qytetin e Lushnjës, veprimtarinë, “Kontributi dhe roli i bektashinjve në Kongresin e Lushnjës”, nën kujdesin e Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Në këtë event merrnin pjesë të ftuar përfaqësues dhe trashëgimtarë të pjesëmarrësve të Kongresit, historiane, përfaqësues të pushtetit lokal, të ftuar nga Bashkitë Elbasan, Peqin, Fierit e, të tjerë. Gjithashtu merrte pjesë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj; zv/Kryetari e Bashkisë Elbasan, z. Armand Shehu; zv/Kryetarja e Bashkisë Peqin, Myzejen Tabaku; zv/Prefekti i qarkut Fier, Arben Velo; deputetja Lindita Buxheli; kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, zv/Kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, Ergest Krakulli; drejtori i Hipotekës Lushnje, Erdit Mihali; përfaqësues të komuniteteve fetare të Lushnjës etj.
Në fjalën përshëndetëse, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera theksoi: “…Të nderuar akademikë, studiues, Autorë e botues, të nderuar përfaqësues të pushtetit qendror e lokal! Jam i nderuar që ditën e sotme, për të nderuar Institucionin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, janë kontribuues në këtë konferencë, akademikë , kërkues shkencorë e hulumtues të vendimeve të Kongresit të Lushnjes e rolit të fesë në këtë Kongres. Ndihmesa që baballarët bektashinj i dhanë këtij Kongresi, shkruar kjo ndër breza, duke përmendur Mit’hat Frashërin e deri sot, që me shumë endje do dëgjojmë përmbledhjen e librit e kontributin e vyer të studiuesit, Ylli Myftiu e profesore Kaliopi Naska. Në fjalën time do të doja të citoja disa rrjeshta nga vepra e bektashiut tonë mendjendritur Mit’hat Frashëri ”Probleme të Shqipërisë Indipendente”. Kongresi i Lushnjes do të kishte efektin e thellë të theksojë në aspiratat e kombit idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të vendit, duke u dhënë të kuptonin edhe të huajve, botës politike, se vendi punon pas parimeve të kombësisë, duke u mbështetur mbi të drejtat e tij pa qenë vegël e ndonjë pushteti të huaj. Mund të thuhet se që nga Lidhja e Prizrenit, ishte manifestimi i parë me një rëndësi fare të veçantë për këtë popull, e një punimi të bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij. Vendimet e Lushnjës kishin dy detyra: 1- të realizonin brenda në Shqipëri një qeveri thjesht kombiare për të gjithë vendin. 2-të mbahej një atitudë gjithashtu kombiare dhe larg çdo dyshimi përpara konferencës; të dy punët aq të rënda, njëra sa dhe tjatra. Efekti më i madh i luftimeve të atyre viteve do të ishte për psikologjinë e brendshme të popullit, për dinjitetin dhe karakterin e tij. Më 1912 ishte shfaqur tek shqiptarët një besim i rrezikshëm dhe fort i dëmshëm, sipas së cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët, po e bëri Evropa. Ky mentalitet kishte për rezultat fatal një aparati, një mefshtësi dhe një mos kujdesie. Meqenëse na bënë të huajt, atëherë ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë. Logjika, vërtetë një logjikë e shtrembër, e donte që, kush e bëri, kush u bë shkak të bëhet, ay le të përpiqet ta qeverisë në krye! Gjykim i vdekshëm që vret dhe shkatërron çdo përgjegjësi për një komb. Kurse më 1920, Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe makar një simpati nuk vonoi të vinte, kur pa bota se shqiptari përpiqej për veten e tij, me fuqinë dhe mjetet e veta. Një ngjarje e tillë ka një rëndësi të madhe për historinë e një kombi. Ekzerson një veprim, influencon gjithë jetën e tij. Është një kandil: ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë dhe në të keqe, në çdo kohë dhe në çdo rasje. Të mbajturit mend të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi si edhe një detyrë. E duke folur për patriotizmën vjen natyrshëm diviza që baballarët bektashinj sollën në Kongresin e parë bektashian në Prishtë “Pa atdhe nuk ka fe” , kongres që vendosi përfundimisht Qëndrën Botërore të Kryegjyshatës në Shqipëri. Për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane ditët e janarit kanë qenë në përkujtim të datave të rëndësishme, përkujtimi i Baba Ali Tomorrit, Kongresi i Parë Bektashian, përkujtimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, dhe sot përkujtojmë Kongresin e Lushnjes si eventin e dytë më të rëndësishëm pas shpalljes së pavarasisë më 1912. Në Kongresin e Lushnjës, bektashizmin për veprimtaritë patriotike e quajtën për herë të parë komunitet të veçantë. Parimet e vendimet e miratuara në Kongresin e Lushnjes ishin vendimtare për një Shqipëri të bashkuar e të pavaruar, pas okupimeve e disfatave të shumta. Por sot a e duam Shqipërinë njësoj si atëherë në Kongresin e Parë Bektashian ? Si atëherë ku vendimet e Kongresit të Lushnjes e donin Shqipërinë të pavarur nga çdo kufitar e Shqipëria të bëhet nga vetë Shqiptarët? Ku atdheu ishte përpara gjithçkaje, ku hapja e shkollave e mësimi i gjuhës shqipe ishte detyrë me rëndësi të lartë, e kur feja përbënte një element të veçantë në ndihmë të përparimit të shtetit Shqiptar. Është e rëndësishme të përkujtojmë, por akoma më rëndësi ka ta duam Shqipërinë, të mos e braktisim, e të jetojmë të pavarur nga çdo ndikim apo interes. Mesazhi im në këtë ditë të shënuar është “Çdo shtet është i ndërtuar nga Patriotizmi por fuqia e vërtetë e një kombi shihet në sakrificat e bëra nga martirët e tij” .
…Rolin e bektashinjve në Kongresin e Lushnjës e vlerësoi edhe kryebashkiakja e qytetit, Eriselda Sefa. Përshëndetën deputetja e Lushnjës Lindita Buxheli, zv.Kryetar Këshilli i Qarkut Fier, Ergest Krakulli, përfaqësuesi i komuniteteve fetare të Lushnjës dhe të tjerë.
…Historiania Prof. Dr. Kaliopi Naska, në kumtesën e saj nxorri në pah kontributin historik të komuniteteve fetare dhe harmoninë e tyre në kontekstin e kongresit; Dr. Ylli Myftiu u ndal në organizimin dhe rolin që luajti Sheh Ibrahim Karbunara dhe paria e Lushnjës në ditët e Kongresit, mikpritjen e banorëve lushnjarë dhe mbrojtjen e Kongresit.
Aktiviteti vazhdoi me videoprojektor mbi historikun e Kongresit të Lushnjës, më pas një koncert artistik e polifonik dhe ‘Kënga e Kongresit’, interpretuar nga grupi i fëmijëve.
Me këtë rast nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, u dhanë ‘Mirënjohje’ dhe medaljoni “Kongresi i Lushnjës”. Gjithashtu, u vendosën kurora pranë bustit të Sulejman Delvinës dhe Sheh Ibrahim Karbunara dhe u bënë vizita në “Shtëpinë Muze të Kongresit”. Mbyllja me një bashkëbisedim dhe mirënjohje për këtë ditë të shënuar mbarëkombëtare, la mbresa të thella për gjithë pjesëmarrësit e kësaj dite.

Përgatiti: Nuri ÇUNI