DITË PELEGRINAZHI, NË TEQENË “HARABATI-BABA”, TETOVË

E mërkura e 7 shkurtit 2024, është një ditë e veçantë për besimtarët bektashinj të Republikës së Maqedonisë Veriore, pasi në teqenë e lashtë të ‘Harabati-Baba’ në Tetovë, është dita e pelegrinazhit tradicional. Pëelegrinazhi i këtij viti, përkon me 486-vjetorin e këtij objekti të njohur për traditën fetare e atdhetare. Për këtë ditë të shënuar, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, ndër të tjera, pohon: “Dita e pelegrinazhit tradicional të këtij viti, përkon me 486-vjetorin e themelimit të ‘Harabati-Baba”, të këtij institucioni të njohur kulturor e atdhetar, për Maqedoninë e Veriut e më gjerë. Aktiviteti fetar e atdhetar i dervishëve e baballarëve që kanë drejtuar shekujve në këtë teqe, mbetet një shembull për brezat që do të vijnë. Përpjekjet tona janë përqendruar që, me besimin tek i Madhi Zot, të bëjmë të mundur, që kjo teqe e mrekullueshme dhe e rrallë në botë, si një monument kulture, të rikthehet siç ka qenë më parë, për të përcjellë paqen e përshpirtshme, dashurinë, mirësinë dhe urtësinë bektashiane të këtyre viseve dhe gjithë Ballkanin”.

…Teqeja “Harabati-Baba”, u themelua në vitin 1538, në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, nga Sersem Ali Dede, ditë në të cilën ai solli në këtë tempull bektashian dhe15 dervish. Në shek. XVI, në kohën e sundimit të Sulltan Sulejmanit, sipas dokumenteve zyrtare, ai ishte edhe zyrtar i lartë i Perandorisë Osmane (vezir). Por pas ngjarjeve me motrën e tij, e cila ishte grua e Sulltanit, Sersemi, ai iu përkushtua bektashizmit. Sersem Ali Dede, ishte teolog i shquar, një mistik i njohur i kohës, filozof dhe poet. Krijimtaria letrare, filozofike, fetare, arti e tjera të Sersem Ali Dede, lanë gjurmë në Rumeli. Në vitin 1551, ai zgjidhet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, funksion të cilin ai e kreu deri në vitin 1569, kohë në të cilën kaloi nga jeta. Në vijimësi, kemi pak të dhëna dokumentare për teqenë e Tetovës. Ajo u rimëkëmb në kohën e pashallëkut të Tetovës. Në kohën e Rexhep Pashës dhe Abdurrahman Pashës, në këtë tempull bektashian, erdhën klerikët e njohur si: Baba Mehmet Harabati (deri 1780), Dede Hyseni (deri 1784 ), baba Sadiku ( deri 1789), Dede Hasani (deri 1793) Ahmet Ekmeçiu (deri 1799), (i cili e pasuroi teqenë me prona të fuqishme), baba Hyseni i dytë (deri 1818), Dede Aliu (deri 1833) dhe Haxhi Baba Emini (deri 1880).
…Një rol të rëndësishëm në ngjarjet historike të kësaj kohe, siç ishte kryengritja e Dervish Carës në vitet 1843-44, luajtën klerikët bektashian si edhe dervish Kapo, dervish Pola etj. Shtabi i kryengritjes, sipas dokumenteve të kohës, ishe në teqenë e Tetovës. Në vijimësi, këtë teqe e drejtuan: baba Muhamed Mehdiu (deri 1882); Haxhi Dede Ahmeti, në kohën e tij shërbenin dyzet dervish dhe 15 baballarë (deri 1901); baba Hamza (deri 1908); baba Hamiti (deri 1912) dhe dervish Nebiu (deri 1914). Më pas, e drejtuan teqenë persona civil, derisa pronat i uzurpoi shteti serb. Në vitin 1941, drejtimin e teqesë e mori baba Qazim Bakalli (deri 1944) dhe më pas, baba Tajar Gashi (deri 1980). Pas vitit 1980, deri në korrik të vitit 1994, ambientet e teqesë, i shfrytëzoi ‘Ndërmarrja Tekstile Teteks’.
…Afër pesë shekuj, në këtë teqe kanë shërbyer, vepruar e krijuar klerikë bektashianë e intelektual të penës, teologë, filozofë, letrarë e të tjerë. Arkitektura e saj e të tjera përbëjnë thesarin e kulturës bektashiane, kulturës kombëtare shqiptare dhe asaj botërore. Ky institucion bektashian, për shekuj me radhë, ishte edhe shkollë e përgatitjes së klerikëve. Ajo ka dhe rolin historik në këtë hapësirë gjeografike, pasi kontribuoi dhe kontribuon shumë zhvillimit, në shumë sfera të jetës, kulturës dhe arsimit.

Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ