PËRKUJTOHET 30-VJETORI I KALIMIT NGA JETA, I BABA SHERIF CANOMETAJ

Të mërkurën, 14 shkurt 2024, bektashinjtë përkujtojnë 30-vjetorin e kalimit nga jeta, të klerikut të njohur bektashian, baba Sherif Canometaj. “…Më 14 shkurt të këtij viti, ne përkujtojmë 30 vjetorin e kalimit nga jeta, të baba Sherif Canometaj, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për bektashizmin në trevën e Elbasanit dhe më gjerë. Kujtimi dhe vlerësimi i këtij kleriku, ashtu si dhe i klerikëve të tjerë që kanë lënë gjurmë në historinë tetë shekullore të besimit tonë të paqtë bektashian, ka qenë dhe do të mbetet kurdoherë përparësi në praktikën e Selisë së Shenjtë…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Baba Sherif Canometaj ka lindur në 4 gusht të vitit 1908 në fshatin Zhapokikë-Tepelenë, në një familje me tradita bektashiane. Mësimet e para i mori tek Sheh Beqir Toçi. Në moshën 11 vjeç lexonte lirshëm në shqip dhe arabisht. Shpesh vizitonte shpesh teqetë, në Koshtan, Turanë, Rabije, Memaliaj dhe ato të Gjirokastrës. Në moshën 27 vjeçare, në vitin 1935 mori dorë në teqenë e Koshtanit, nga baba Shefqet Koshtani, i cili e gradoi “Dervish”. Më 1943, vazhdoi kursin për dervish në Kryegjyshatë, por për arsye të Luftës u ndërpre. Kursin e rifilloi dhe e ndoqi në vitet 1945-1946. Baba Sherifi mësoi edhe me mësues privat me Hafiz Ali Korçën, i cili qëndronte për çdo vit dy-tre muaj në teqenë e Madhe në Elbasan. Ai mësonte edhe gjuhë të haja arabisht, turqisht, italisht e persisht, filozofi e letërsi Ngjarjet e marsit të vitit 1947 në Kryegjyshatë, vrasja e baba Fajës dhe baba Fejzës dhe Kryegjyshi Abaz Hilmi Dede, e futën në burg për dy muaj. Më pas, më 4 nëntor të vitit 1948, u emërua nga Dede Ahmeti, baba në teqenë e Greshicës . Baba Sherifi ka lëvizur më pas në teqenë e Çorrushit, Mallakastër, teqe e Zallit, në Kryegjyshatë, në teqenë e baba Xhemali, Elbasan, në teqenë e Martaneshit dhe në vitin 1960-1964 në teqenë e Prishtës-Skrapar. Së fundi shërbeu në teqenë e Madhe Elbasan deri në vitin 1967, kohë në të cilën u ndalu feja. Pas kësaj u muar me tregti, ku shiti cigare për 23 vjet në Elbasan. Në periudhën, 1967-1990, ai mbajti gjallë besimin bektashian duke përdorur shtëpinë e vet si teqe…
Baba Sherifi ka shumë vlerësime nga populli i trevave të Tepelenës, Gjirokastrës, Skraparit, Martaneshit, Përmetit, Mallakastrës, Elbasanit, Korçës etj.
Kaloi nga jeta më 14 shkurt 1994.