GJASHTË VITE PA BABA ISMAIL JANGULLIN

Më 14 shkurt të këtij viti, mbushen 6 vjet, datë në të cilën ndërroi jetë baba Ismail Jangulli, kleriku që drejtoi për një kohë të gjatë teqenë e njohur bektashiane të Bllacës në Dibër.
Ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, në këtë përvjetor, pohon: “… Ne e kemi mbajtur në zemra gjatë gjithë kësaj kohe baba Ismailin, siç iu mbajmë emrat e shquar të qindra dervishëve dhe baballarëve të tjerë, të cilët, vunë në themelet e bektashizmit jo thjeshtë këmbënguljen dhe përkushtimin, por krejt jetën e tyre. Baba Ismail Jangulli ishte dhe mbetet modeli i klerikut të përkushtuar…”
…Baba Ismail Jangullit, ka lindur në fshatin Godvi të Zerqanit, prefektura Dibër më datë 05.05.1932. Ai u lind dhe u rrit në një familje të madhe patriarkale me tradita patriotike.
Ai u rrit me edukatën bektashiane që në fëmijëri. Nëna e tij, Hidja e kishin marrë dorën e besëlidhjes tek baba Zeneli në Bllacë, gjë që ndihmoi drejtpërsëdrejti në edukimin e këtij djaloshi. Baba Ismaili, në moshën 23-vjeçare, me datë 22/03/1954, merr besëlidhjen bektashiane tek baba Xhemal Selsa. Baba Ismaili, fillimet e veta i filloi si arsimtar, në shumë fshatra të Peshkopisë. Me vonë, punon në ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve në Thekër të Martaneshit si magazinier, si kuzhinier dhe si shitës dyqani. Me vonë vjen në Bulqizë dhe punon po në këtë ndërmarrje në punishten e ëmbëlsirave. Në vitin 1967 ku u prishën të gjithë kultet e besimeve të ndryshme në Shqipëri, Ismail Jangulli e përjeton shumë keq këtë katastrofë.
Më 31/03/1976 arrestohet me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, dhe dënohet me 10-vjet burg. Dënimin ai e kreu në Spaç te Mirditës ku nga 10 vite, bëri 5 vjet e 6 muaj. Në vitin 1981 lirohet nga burgu dhe kthehet pranë familjes së tij.
Me ndërrimin e sistemeve, baba Ismail Jangulli merr në dorëzim teqenë e Bllacës dhe në gusht të vitit 1998, vishet dervish. Më 4 prillit 1999, baba Ismaili merr dekretin e Shenjte te ‘Babait’ nga Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian. Baba Ismail Jangulli, i vlerësuar nga Presidenti i Republikës me Dekoratën “Nderi i Kombit”, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, në ngritjen dhe lartësimin e emrit të mirë të kësaj Teqeje të njohur. Ndërroi jetë më 14.02.2018