Dita e 15 shkurtit, shënon dy ngjarje të rëndësishme përkujtimore, në kalendarin bektashian: 43 vjetorin e kalimit nga jeta të baba Qazim Bakallit dhe, 116-vjetorin nga jeta të ndarjes nga jeta, i Haxhi Ali Haqi Babait, të teqesë së Zallit, Gjirokastër.
* * *
Baba Qazim Bakalli, lindi në Gjakovë më 03.01.1880, nga një familje me tradita bektashiane. Pasi mbaroi shkollën fillore në gjuhën turke, në vitin 1909 vazhdoi shkollën normale të Shkupit. Tek baba Qazimi vihej re zgjuarsia; ai mësonte me pasion të gjitha lëndët mësimore. Gjatë kësaj periudhe shkollore si nxënës i shkëlqyer dhe aktivist i rinisë patriotike shqiptare “Shubani Vatan”, ai përjashtohet nga shkolla në vitin 1912. Më vonë, kreu edhe shkollën normale në Elbasan. Si mësues, në periudhën 1913-1914, punoi në Shijak. Më pas, u emërua sekretar, në komunën e Bytyçit dhe më vonë Krahinar në të njëjtën trevë. I rikthehet arsimit duke punuar si mësues, në Poliqan-Lume, ku hapi dhe një shkollë të re, në fshatin Shtiqen. Në këtë kohë mbante lidhje me Bajram Currin. Për këtë u burgos në Krumë dhe pastaj e çuan në burgun e Shkodrës, ku qëndroi pesë muaj. Ai ishte anëtari me aktiv i Degës së Komitetit Mbrojtja Kombëtare të Kosovës, në Gjakovë e rrethinat e saj. Në këtë periudhë, baba Qazimi i futet udhës fetare, në bektashizëm. U bë myhib nga Haxhi Adem Vexh-hi Babai. Mori njohurit e doktrinës bektashiane brenda një kohe të shkurtër në teqenë e baba Hamzës në Shtip. Uniformën e dervishit e veshi në Fushë Krujë, nga Haxhi Mehmet Babai. Rregullin e virgjërisë e bëri nga Sali Nijazi Dedei. Shërbeu dervish në Shkodër pranë baba Hajdar Stambollit, pastaj në Elbasan në teqenë e Xhefai Ibrahim Babait. Kryegjyshin Salih Niazi Dede e aktivizoi në dhënien mësim në arabisht, turqisht, persisht, për përgatitjen e kuadrit të ri klerikal.
Kryegjyshi Sali Niazi Dede, në tetor të vitit 1941 e dërgoi dervish Qazim Bakallin në teqenë Harabati-Baba, Maqedonin e Veriut, të cilën e mori në dorëzim më 20 maj 1942. Në fund të vitit 1944, regjimi serb, e burgos përsëri. Pas burgut, vendoset në teqenë e Gjakovës. Aty bashkëpunoi me baba Tajar Gashin, me teqenë e Detroid SHBA. Gjithë jetën punoi me përkushtim dhe la gjurmë si patriot, mësues dhe klerik i shquar. Ndërroi jetë më 15 shkurt 1981.
* * *
Baba Ali Haqi Babai, lindi në vitinb1827 në familjen e Sulejman Karajt në Elbasan. Emrin ia vuri Sali Babai, i cili i tha familjes se, ‘ky do jetë i yni’. Aliu i vogël, i cili u rrit dhe shkoi në shkollën fetare (Medrese), në Elbasan qysh kur ishte shtatë vjeç, kur kishte një shok elbasanas, me emrin Mustafa Baltëza. Të dy mbaruan Medresen, duke studiuar njohuritë mistike Islame. Ai u bë myhib, së bashku me Mustafanë, tek baba Abdullai, në teqenë e Melçanit. U vesh dervish më 1854 në Haxhi Bektash-Turqi. Baba Aliu qëndroi shtatë vjet në shërbimin e teqesë si tyrbetar i Haxhi Bektashit, duke u shkollua ndërkohë. Në vitin 1861, shkoi baba, në teqenë e Zallit. Në vitin 1870, baba Aliu ndërtoi teqenë e Melanit. Në këtë vit, në Haxhi Bektash u bë gjysh. Baba Aliu përhapi më shumë bektashizmin, jo vetëm në Gjirokastër (ku një pjesë e madhe u bë bektashi), por e zgjeroi veprimtarinë edhe në rrethe të tjera si: në Delvinë me fshatrat e saj, Libohovë, Nepravishtë, Tepelenë, Kurvelesh, Përmet deri në Korçë e Elbasan. Në Vlorë arriti ai kishte Baba Qamilin, të vëllanë e tij, Alinë, dhe shumë muhibë nga Smokthina e Vlorës, si Shero Agai e të tjerë.
Kontributi i tij i shquar kombëtar u reflektua dukshëm, në çështjet e lëvizjes kombëtare në fillim, në kohën e Abdyl Frashërit, pas Lidhjes së Prizreni… Kur qeveria turke, filloi të merrte masa kundër bektashinjve, të tre baballarët e Gjirokastrës, baba Alinë, baba Hajdarin dhe baba Zenel Gjoksin, i internoi në Janinë, duke i mbajtur për një kohë të gjatë të arrestuar atje. Në kohën kur ndërroi jetë baba Hajdari, në Gjirokastër më 1904, teqetë e tyre u bastisën si çerdhe të librave dhe arsimit kombëtar shqiptar. Në këtë rast u internua në Janinë baba Sulejmani, teqesë Hajdarije, baba Mehmet Kruja, që shërbente si dervish, dhe gjithë dervishët që zunë aty…
Ali Haqi Babai është nga shkrimtarët dhe vjershëtorët e mëdhenj bektashinj. Është një nga klerikët më të shquar dhe më të ndritur të kohës së tij nga pikëpamja e kulturës dhe nga pikëpamja e prestigjit të madh që gëzonte. Të gjitha vizitat që ka bërë deri në Palestinë, i ka mbledhur në një libër të madh, dorëshkrim, në 1000 faqe me titullin “Sejahatname” (libër i shëtitjeve), në gjuhën turke. Është Autor i librit në dorëshkrim, turqisht, 500 faqe me titullin “Istilahati Sofije” (Frazeologjia mistike). Ka lenë dhe një fjalor të dialektit turk-çakataj në dy volume të trashë. Filloi të mblidhte fjalë dialektike shqiptare dhe t’i shpjegonte të shkruara shqip me germa arabe. Ka shkruar dhe dy divane të mbledhur bashkë në një volum në gjuhët arabe dhe persiane. Mjerisht të gjitha këto vepra mbeten në Gjirokastër dhe s’ka asnjë prej tyre.
Përgatiti:
XH. ÇULLHAJ