VIZITA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIGËS SË BOTËS ISLAME, MUHAMED BIN ABDULKERIM EL-ISA NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa zhvilloi në ambientet e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, një vizitë të veçantë, ku u prit edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Z. Abdulkerim el-Isa është nga personalitetet më të rëndësishme të botës që njihet për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në dialogun ndër fetar mes popujve të botës.
Gjatë takimit, Kryegjyshi Botëror pasi i uroi mirë se ardhjen në vendin tonë, e njohu nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/ fonotekën, galerinë etj. si dhe me historinë 800 vjeçare të Bektashizmit, përmes veprave të ruajtura në muze dhe në bibliotekë. Po ashtu, Kryegjyshi theksoi rolin që Kryegjyshata Botërore luan në dialogun dhe harmoninë fetare si dhe vizionin e saj për përhapjen e mesazhit të pastër e të drejtë të paqes në këtë rajon. Z. Abdulkerim el-Isa vlerësoi rolin model të bashkëjetesës ndërfetare të vendit tonë, jo vetëm për rajonin por për mbarë botën, duke veçuar rolin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane si mjaft të rëndësishëm.
Në fund të takimit, u shkëmbyen dhuratat protokollare me këtë rast.
Kujtojmë se: Muhamed bin Abdulkerim el-Isa ka mbajtur poste të ndryshme të rëndësishme drejtuese, si ministër i Drejtësisë, këshilltar i mbretit, si dhe ka mbajtur leksione në SHBA, Europë dhe Azi në universitete të ndryshme. Ai është vlerësuar për kontributin e tij edhe nga Departamenti i Shtetit, si dhe ka marrë shumë çmime ndërkombëtare për kontributin e tij në promovimin e dialogut ndërfetar. Së fundmi ditën e sotme Universiteti Bedër i ka akorduar çmimin e lartë “Doktor Honouris Causa”.

Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ
Fotot:
N. ÇUMANI