MALLAKASTËR, 4 MARS 2024. PËRKUJTOHET 89-VJETORI I DEDE RESHAT BARDHIT DHE DITË PELEGRINAZHI NË GRESHICË

E hëna e 4 marsit të këtij viti, është një datë e shënuar përkujtimore për bektashinjtë, pasi ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, ka 89-vjetorin e lindjes. Në të njëjtën ditë, në Greshicë të Mallakastrës, zhvillohet dhe dita e pelegrinazhit tradicional vjetor.
Në këto evenimente, është i pranishëm në Mallakastër dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili do të drejtojë dhe ritet e kësaj dite të shënuar.
Si në çdo vit, kjo datë mbledh në Greshicë, besimtarë të shumtë, klerikë bektashian e të besimeve të tjerë fetarë, drejtues të lartë të institucioneve shtetërore e vendore, deputetë e dashamirës nga gjithë trevat shqiptare, brenda e jashtë vendit.
“4 marsi, nuk është ditë e bekuar vetëm për teqenë e Greshicës. Kjo ditë që lidhet me lindjen e myrshidit tonë, Dede Reshat Bardhit, në Lusën të Kukësit, në vitin e largët 1935, e këtij kleriku që gjithë jetën e tij e inkuadroi në vëllazërinë bektashiane, duke bërë çfarë ishte e mundur që ky tarikat jo vetëm të ruante substancën e tij të lirisë dhe urtësisë, por edhe të zhvillohej më tej, përmes sakrificave gjithfarësh. Sot, dede Reshati, mbush 89 vjet nga lindja e tij. Prandaj, në këtë ditë të shënuar, ju përcjellë urimet dhe shpresë në çdo teqe bektashiane, anë e kënd botës, kudo ku vëllazëria jonë bashkon shpirtra njerëzish në udhë të Zotit. Amin!…”-pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj,

* * *

…Dede Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit, në Veriun e Shqipërisë. Në moshën 6 -7 vjeçare, fillon të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht nga hoxha i fshatit. Në vitin 1944, familja e tij vendoset në rrethina të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili ka parë tek djaloshi prej Lusnës të largët, jo vetëm prirjet mistike dhe fetare por edhe shembuj të një besnikërie të thellë. Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë në rrugën mistike të çelur nga Haxhi Bektash Veliu. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Për arsye se shteti komunist shqiptar, kishte projektuar rrënimin e besimeve fetarë, në vitin 1958 ai e internon në fshatin Drizar të Mallakastrës, Kryegjyshin Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin. Prej 1958 deri 1967, dervish Reshati do të provonte mbi shpinë një varg torturash psikike dhe fizike të kryera nga sigurimi famëkeq i shtetit komunist. Por ai nuk do të largohej nga udhëheqësi i vet shpirtëror dhe as nga praktikimi i riteve fetarë bektashianë. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. Me rrënimin e objekteve të kulteve fetarë në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti.

…Dede Reshat Bardhi ka një meritë të padiskutueshme për ringritjern e bektashizmit. Në vitin 1991 Reshat Bardhi riorganizon bektashizmin në Shqipëri me gjithë strukturat. Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, në Kongresin e VI bektashian të vitit 1993. E gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Dha një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare. Ai ka marrë pjesë në konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë si në: Më 22 mars 1991, ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhrit të saj nga Kolumbia dhe Spanja; në nëntor 1991, në Mekë, pritet nga autoritete të lartë fetarë të Arabisë Saudite, në shkurt të vitit 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhepi; në gusht 1993 viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash Veliut në Turqi ku pritet nga mijëra besimtarë bektashianë të ardhur nga Azerbaxhani, Kazakistani, Pakistani etj. U prit gjithashtu në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash etj… . Që nga viti 1991 dhe deri në ikjen nga kjo jetë; në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Dede Reshat Bardhi ka pritur në çdo festë fetare, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrat dhe të gjithë ambasadorët e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti. Në mars të vitit 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan; në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet midis të tjerëve nga Kryeministri turk, Eçevit; në tetor të vitit 2002 merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbajxhan, n tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, e pritet sërish nga Papa Gjon Pali; në shkurt 2004 merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë të organizuar nga Patriarkati Ekumenal; në prill të vitit 2004 merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashinjve në Gjermani; në tetor të viçi 2005 pret në Tiranë me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashinjve, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit, dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash; në dhjetor të 2005 përshëndet në Prishtinë Kongresin e Lidhjes Shqiptarë në Botë; në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola; në qershor 2006, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç; ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë; në tetor 2007, pritet në Stamboll nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici. Në nëntor 2007 pritet nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski; në shtator 2008 është pritur në Tiranë nga Kryeministri i Turqisë Tahip Erdogan; më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë; në maj të vitit 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes, për kontributin e tij të shquar, në rrafsh të tolerancës fetare etj… Dede Reshati ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. Është dekoruar me medaljen: “Pishtar i Demokracisë” dhe urdhrat “Naim Frashëri i Artë” e “Flamuri Kombëtar”. Dede Reshati është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës, Mallakastrës.