Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, uron dhe bekon mësuesit për 7 Marsin, duke vlerësuar rolin e tyre në edukimin e brezave, për një të ardhme më të mirë të kombit.
Në këtë mesazh, ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, thekson: “… Me rastin e kësaj feste të shënuar, 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, uroj e bekoj gjithë armatën e arsimtarëvee, për më shumë dashuri e harmoni dhe për më shumë përkushtim, në misionin e tyre. 7 Marsi na ngjall të gjithëve ndjesinë e mrekullueshme të respektit më të thellë për veprën e mësuesve tanë. Sakrifica e tyre në vite, për përcjelljen e dijeve, në edukimin e brezave, është shndërruar në frymëmarrje të lirive dhe aspiratave të ëndërruara. Personalisht, simbolika e kësaj dite, më lidh akoma më shumë me historinë 800-vjeçare të bektashizmit. Pa më të voglën mëdyshje, në vargun e gjatë dhe të lavdishëm të mësuesve, unë do të renditja edhe qindra klerikë bektashianë, të cilët i shndërruan teqet e tyre në vatra të dijes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Së bashku me shpresën tek Zoti i Madh, ata ushqyen breza të tërë, me dashurinë për Atdheun dhe shenjtërinë e lirisë. Roli i mësuesve, veçanërisht në këto kohë të vështira që po kalon vendi ynë dhe bota e trazuar, bëhet më i rëndësishëm, për paqtimin e shpirtrave, për harmoni e dashuri, për apel për paqe e larg ndjenjës së luftës. Nder dhe respekt të veçantë, mësuesve të djeshëm dhe të sotmëve. Zoti i bekoftë të gjithë ata që shpërndajnë së bashku me dritën e diturisë edhe paqen e shpirtrave!.
Shëndet e lumturi në familjet tuaja!”