URIM I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, HAXHI DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ, PËR 8 MARSIN, ‘DITËN E GRUAS’

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron gratë për festën e tyre, 8 Marsin. Në këtë mesash, Dede Edmond Brahimaj, uron dhe bekon gratë për festën e tyre, duke apeluar për më shumë dashuri tek i Madhi Zot, për më shumë paqe, harmoni e dashuri njerëzore, për një përkujdesje e angazhim më të madh të strukturave shtetërore e shoqëqrore, për të rritur dinjitein e gruas.
“… Dita e 8 Marsit, për ju gra, nëna dhe motra, është një datë e shënuar. Kjo datë, më jep mua mundësinë që si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, t’ju uroj e bekoj: Zoti dhe Haxhi Bektash Veliu u plotësoftë çdo dëshirë tuajën! Paçi mbarësi të përjetshme në familjet tuaja biologjike dhe shpirtërore!…Përdoreni dlirësinë, forcën dhe apelin tuaj, që në këto të vështira, dashuria të triumfoj mbi urrejtjen, dora vrastare mbi njerëzit të ndalet, era dhe kërcënimet e luftës të ndërpriten, të rrisim besimin në të Madhin Zot, në mënyrë që paqja të mbretëror në shpirtrat, kombet shtetet dhe kombësitë! Në këtë ditë feste, unë do të përshëndes në mënyrë të veçantë dhe gratë e motrat bektashiane, duke sjellë ndërmend, atë brez të nënave dhe motrave bektashiane, të cilat të detyruara nga rrethanat e regjimit ateist që kaluam, mbajtën të pafikur kandilin e Haxhi Bektash Veliut përmes sakrificave të mëdha. Ato na dërguan në shkollë, duke na veshur ndonjë bluzë të re për ditën e Sulltan Novruzit, na bënë ashure ku fshehurazi thirrëm edhe bashkëmoshatarët e tjerë të feve të tjera, na kujtuan përmes lotëve dëshmorët e Qerbelasë dhe u kujdesën për tyrbet e rrëzuara si për prindërit e tyre. Guximi i tyre na mbajti të gjallë shpresën në ato vite të vështirë. Kjo situatë që po kalojmë sot, është një situatë e vështirë, koston e së cilës, në njëfarë mënyre,po e vuani dhe ju nëna e motra të shtrenjta. Por ju me dinjitet, i jeni bashkuar si gjithmonë vullnetit të Zotit të Lartë, duke bërë aq sa mundeni, për ta përmirësuar këtë situatë e për ardhjen e ditëve më të mira. Veçanërisht në këto kohë, kur fenomene të dukshe të dhunës ndaj gruas po evidentohen dukshëm, është koha e alarmit për ti thënë ‘Stop;, këtij fenomeni të rrezikshëm. Gëzuar 8 marsin, paçi ngaherë shëndet të plotë, gëzim e harmoni në familjet tuaja, ! Zoti ju bekoftë të gjithave!”- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ