URIM I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, PËR MUAJIN E MADHËRUESHËM TË RAMAZANIT

Me rastin e nisjes së agjërimit për Muajin e Madhërishëm të Ramazanit, të hënën më 11 mars 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, uron dhe bekon të gjithë besimtarët myslimanë për një agjërim sa më të lehtë, me më shumë durim, pastrim shpirtëror e reflektim, për adhurim e shpresë tek i Madhi Zot, për më shumë shëndet, dashuri njerëzore, paqe, harmoni, respekt dhe mirësi.
Ndër të tjera, në mesazhin e Tij, Dede Baba, Edmond Brahimaj, thekson: “…Të nderuar besimtarë mysliman! Si Kryegjysh Botëror Bektashian, kam kënaqësinë edhe nderin që t’u uroj të gjithëve: Gëzuar Muajin e begatë e të Madhërishëm të Ramazanit! Paçi agjërim të lehtë dhe të pranuar, paçi shëndet, lumturi, harmoni dhe begati në familjet tuaja dhe, Zoti i Madh ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri! Ky Muaj i Madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin tek të gjithë. Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit. Agjërimi ka qenë detyrim edhe për besimtarë të tjerë para nesh, të cilëve u janë dërguar Profetë. Allahu i Lartësuar thotë: ‘O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm. (El Bekare: 183).
Duke kryer ritet e këtij Muaji të Shenjtë, duke reflektuar sa më thellë në vetvete, ne kontribuojmë ndjeshëm që ditë që vijnë, me shpresën dhe besimin tek Zoti, do të jenë më të mira.
Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit! Zoti na ndihmoftë të gjithëve! Amin!