Ditën e mërkurë, më 13 mars, u përkujtua ditëlindja e 137-të, e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Ilmi Dede. Me këtë rast, një grup i Selisë së Shenjtë Bektashiane, udhëtoi në këtë ditë drejt vendlindjes së ish-Kryegjyshit, për kryerjen e riteve përkujtimore. Në banesën e tij, e cila tashmë, i është nënshtruar rikonstruksionit si objekt bektashian, kurorën në emër të Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e vendosi dervish Hasan Cerkanj. Po ky klerik, në prani të besimtarëve dhe familjarëve, drejtoi ritet e kësaj dite përkujtimore.
Abazi Ilmi Dede, ish-Kryegjyshi Botëror Baktashian, lindi më 13 mars 1887 në fshatin Mërtinj të rrethit Përmet nga një familje bektashiane, me mbiemrin Elezaj. Fëmijërinë, deri në moshën 17 vjeç e kaloi në fshatin e lindjes. Që në moshë të re kish një dashuri të veçantë për Zotin. Shumë shpejt, nga familja dhe të afërmit, u njoh nëpër vizitat e ndryshme në teqenë e Këlcyrës, Hasan Dede, Sukës, Përmetit, Frashërit, Prishtës , Kiçokut, Gllavës etj. Iu shfaq dëshira për tu veshur me petkun bektashian. Rreth viteve 1907, u vesh dervish së bashku me dervish Ali Turabiu në teqenë e Prishtës, ku muarën dorë te baba Shabani. Ka bërë studime fetare për pesë vjet në Egjipt së bashku me dervish Aliun dhe u kthye në Shqipëri në vitet 1918. Ai shërbeu si dervish në teqen e Prishtës, Sukës, Frashërit. Në luftën e vitit 1914 së bashku me Kamber Bënjën ka luftuar kundër andartëve grekë. Ngriti shkollën e parë shqipe më 1920 në fshatin e tij, në zonën e Dëshnicës. Ka marrë pjesë në luftën e Vlorës në vitin 1920. Jeta e tij dhe vështirësitë, kudo që shërbeu e formuan si klerik i aftë dhe organizator, ku u dallua për çështjen e atdheut në ndihmë të luftës antifashiste. Në gusht të vitit 1945, për meritat dhe punën e vyer që kish bërë, Këshilli i Lartë Gjyshnor, e zgjodhi në postin e lartë të Hynqarit, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, të cilën e drejtoi më së miri deri në mars të vitit 1947. Për çështje të mbrojtjes së doktrinës bektashiane, parime dhe normat e saj, mbas shumë debatesh dhe i ndodhur në rrethana të vështira të këtyre viteve u vetësakrifikua, më 18 mars, 1947.
Përgatiti:
XH. ÇULLHAJ