Që në orët e para të ditës së premte, 22 marsit 2024, mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane ishin mbipopulluar si rrallë ndonjëherë nga besimtarë, klerikë bektashianë nga Shqipëria e vende të tjera, drejtues e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë, drejtues shtetërorë e lokalë, ministra, deputetë, politikanë, njerëz të artit, kulturës, teologë, studiues të njohur etj, në ditën e shënuar të Sulltan Nevruzit. Për këtë festë të shënuar, e përfshirë dhe në kalendarin vjetor shtetëror si ditë pushimi, nën përkujdesjen e Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, ishin marr masa të plota, për mbarëvajtjen e aktiviteti.
Ndër të tjerë, morën pjesë: Përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë; z. Peter, nga Ambasada e Sllovenisë; z. Albin Otruba, nga Ambasada e Sllovakisë; z. Martin, zëvendës ambasador i Austrisë; zj. Dhimitria Telnekova, zëvendës ambasador; përfaqësues nga Ambasada e Kosovës; përfaqësues nga Ambasada e Kosovës; përfaqësues nga Ambasada e Italisë; përfaqësues nga Ambasada e Izraelit; Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu; Kryetari i Tarikatit Kadri, Sheh Bujar Harasani; Përfaqësues i Tarikatit Rufai, Sheh Qemaludin Reka; dervil Abdyl-Metalip i teqesë ‘Harabati Baba’ Tetovë; Klodian Bulku, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet; Horesi Asti Bakallbashi, nga Kisha Ortodokse; Dom Arjan Dodaj, nga Kisha Katolike; Ambasadori i Libisë; Prefekti Tiranës; nënkryetare Bashkisë Tiranë; Kryetari i Njësisë Bashkiake nr 1, Tiranë; Kryetari i Njësisë Bashkiake nr 2, Tiranë; Kryetari i Bashkisë së Vushtrisë, Kosovë; Ilir Meta, ish-President i Republikës, Elisa Spiropali, deputete dhe ministre, studiuesit e njohur, Paskal Milo, Shezi Rrokaj, Hetem Rukaj e Bardhosh Gaçe; Shoqata “Tafil Buzi” e Tepelenës, Medin Dura; Agim Shkëmbi, Kryetar i Shoqatës së Bashkuar, Gorë-Opar, Kryetar i Shoqatës ‘Tomorri’ Engjëll Musai; Kryetar i Shoqatës ‘Tafil Buzi’ Tepelenë, Medin Duro etj…
Shoqërimi i Himnit Kombëtar dhe Himnit Bektashian, shënoi fillimin e aktivitetit.
Moderimi i ceremonisë zyrtare u bë nga Shelda Agarai-Jano, e cila theksoi ndër të tjera:
“Të nderuar miq të ftuar e besimtarë, mirë së keni ardhur në ceremoninë fetare të Kryegjyshatës Botërorë Bektashiane, që festohet në të katër anët e botës ku ka besimtarë bektashinj. Sot festojmë ditëlindjen e Imam Aliut. Sot është ditë e re, qe përsëritet moti, lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu lind vetë Zoti. Sulltan Novruzi, pranvera bektashiane që rilind natyrën dhe shpirtin. Festa e Sulltan Novruzit, simbolizon ndihmesën ndaj të varfërve dhe njerëzisë, nga dimri i acartë dhe skamja. Ardhja e pranverës i jep jetë, ushqim, ngrohtësi, bereqet, dashuri e gëzim njerëzimit. Kjo ditë sjell shpresë për më shumë mbarësi. Lindja e Imam Aliut kurrsesi nuk lejon që njeriu të kursej ndihmën, “sadakanë për shpirt”, e të çelë në zemra shpresën për një të ardhme më të mirë…”.
Moderatorja, ia dha fjalën për përshëndetje dhe udhëheqjen e ceremonisë, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede, Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi Botëror, në këtë përshëndetje, ndër të tjera tha: “…Të nderuar klerikë e besimtarë bektashi, të nderuar anëtarë spiritual dashamirës e miq të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane! Të nderuar lider e përfaqësues të Komuniteteve fetare zyrtare në vend, përfaqësues të institucioneve qeveritare ligj zbatuese e diplomatë të akredituar në vendin tonë! Mirë se keni ardhur për të ndarë së bashku festimet e kësaj dite të Shenjtë për bektashinjtë anë e mbanë botës , ditën e lindjes së Imam Aliut, ringjalljes shpirtërore për një të ardhme më të mirë. Uroj që Sulltan Novruzi, kjo ditë e re të sjell mbarësi e bekime nga Zoti për të gjithë ju e familjet tuaja. Në këtë ditë kaq të veçantë uroj e shpresoj ta doni më shumë njëri tjetrin, të bëni mirë, e të përparoni duke pasur dashamirësinë në zemrat tuaja. Secili duhet ta njoh vetveten, ta mund egon e urrejtjen e të mbjell dashuri paqe e mirësi, së pari për qetësinë e jetës dhe shpirtit të tij .Bëjeni jetën të tillë, që kur të ndërroni jetë, njerëzit të vajtojnë dhe sa jeni gjallë të dëshirojnë shoqërinë tuaj sepse sëmundja e zemrës e rëndesa e shpirtit është më e keqe se sëmundja e trupit. Dojeni atdheun tuaj ashtu si nënën e jepni kontributin e intelektin tuaj në dheun tuaj. Kjo është pasuria për të cilën ka nevojë Shqipëria, s’ka pasuri si arsimi dhe s’ka varfëri më të madhe se injoranca. Trupi pastrohet nga uji, ego nga lotët ,Intelekti pastrohet nga dituria , shpirti pastrohet me dashuri .Sa i çuditshëm është njeriu ndonjëherë.. Ai humbet shëndetin e tij duke u përpjekur për të fituar pasuri. Më pas për të rifituar shëndetin ai e shpërdoron pasurinë e tij. Ai shkatërron të tashmen e tij duke u shqetësuar për të ardhmen e tij, por qan në të ardhmen duke kujtuar të kaluarën e tij. Ai jeton sikur vdekja nuk do t’i vijë kurrë – por vdes në një mënyrë sikur të mos kishte lindur kurrë. Shpirtrat tuaj janë të çmuar dhe mund të jenë të barabartë vetëm me çmimin e Xhenetit.
E pra të nderuar bektashinj e të ftuar që jeni bashkuar me ne në këtë ditë të Shenjtë të lindjes së të Madhit Ali këshilla e zemrës që do të doja t’ju jepja është: “Lëreni mënjanë krenarinë tuaj, arrogancën tuaj, kujtoni që jemi kalimtarë në këtë botë. Një moment durimi në një moment zemërimi parandalon një mijë momente keqardhjeje që mund t’ju shoqërojnë gjithë jetën. Shikimi i syrit është i kufizuar por vizioni i zemrës i kapërcen të gjitha barrierat e kohës dhe hapësirës. Zoti ju bekoftë!”.
Ceremonia ishte konceptuar dhe u realizua në formë spektakli festiv. Kështu, përfshinte
interpretime të aktorit të njohur Bujar Asqeri dhe Dritan Boriçi; këngëtari i njohur, tenori Kastriot Tusha me ‘Këngë për Eh’libetin’; Ansambli ‘Tirana’, me “Potpuri vallesh me motive të Shqipërisë së Mesme’; Ansamblin Myzeqeja, me ‘Potpuri vallesh me motive të Shqipërisë së Jugut’; këngëtaren e mirënjohur Manjola Nallbani, me këngën kushtuar Perëndisë; Ansamblin “Isuf Myzyri”, Elbasan, me vallen e Osman Takës etj…
Më pas, Kryegjyshi Botëror, priti për urim, personalitetet dhe besimtarët.
Urime zyrtare për këtë ditë pati dhe nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj; Kryeministri Edi Rama dhe shumë institucione, shoqata e individë nga Shqipëria e vende të ndryshme të botës.
Ceremonia e Sulltan Novruzit, nën përkujdesjen e gazetarit të njohur Ferdinand Samarxhi, ‘Nderi i Kombit’, jo vetëm u parapri me shumë intervista mediatike, por u përcoll direkt në TVSH e disa televizione të tjerë, ndërsa gazetarë të shumtë, e pasqyruan këtë aktivitet në gazeta të vendit e portale të shumtë.
URIME TË PERSONALITETEVE SHTETËRORË
BAJRAM BEGAJ, PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj, urimin e besimtarëve bektashianë për 22 marsin, Ditën e Sulltan Novruzit, e bën nga teqeja e Baba Aliut, ku ka planifikuar që të jetë në këtë ditë. Në këtë mesazh, Kreu i Shtetit, thotë: “Nga Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan, Presidenti Begaj do të përcjellë urimet e tij për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë…”.
LINDITA NIKOLLA, KRYETARE E PARLAMENTIT SHQIPTAR
Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar mbarësi dhe paqe për besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit. Në mesazhin e saj, ndër të tjera thuhet:
“Në Ditën e Sulltan Novruzit, uroj të gjithë besimtarët bektashinj! Mbarësi, mirëqenie, dashuri dhe paqe! Ëmbëlsia e kësaj feste të fisnikërisë e ringjalljes bektashiane le të shpërndahet e përshkojë jetët e vatrat familjare të gjithë shqiptarëve që kremtojnë këtë ditë të shënuar…”
EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
Për 22 marsin, Festën e Sulltan Novruzit, e ka uruar dhe Kryeministri i Vendit. Urimi i tij, për këtë ditë për besimtarët bektashianë, vjen nga Kurora e Malit Sevaster, Bashkia Selenicë. Ndër të tjera, në mesazhin e tij, ai thotë: “Mirë mëngjes! Dhe nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë, ju uroj gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit!”
ERION VELIJA, KRYETAR I BASHKISË SË TIRANËS
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar besimtarët bektashianë për Ditën e Sulltan Novruzit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj uron: “Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja!”
Fotot:
Nuri ÇUMANI