KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, MERR PJESË NË NISJEN E PUNIMEVE PËR RESTAURIMIN E TEQESË SË SUKËS, PËRMET

Ditën e shtunë, më 13 prill 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, bashkë me shumë besimtarë të trevës e më gjerë, mori pjesë në nisjen e punimeve për restaurimin e teqesë së Sukës, Përmet.
Pas përshëndetjeve dhe lutjeve të rastit, Kryegjyshi Botëror, pohoi mes të tjerash, se po bëhen përpjekje maksimale që kësaj teqeje ti rikthehet tradita e dikurshme.
Duke kujtuar gjithashtu se ky objekt i njohur bektashian, përmendet jo vetëm si strehë e qëndresës bektashiane në këtë trevë, por dhe si strehë ku drejtues më të lartë të bektashizmit botëror (Këshilli Atnor), kanë qëndruar e drejtuar disa kohë, zbatimin e vendimeve të Kongresit të Parë Bektashian, që u mbajt në Prishtë të Skraparit.

Teqeja e Sukës, ndodhet në Njësinë Administrative të Sukës, Bashkia e Këlcyrës. Ajo, është themeluar nga kleriku , baba Ali Bubësi. Sipas dokumenteve, ajo është djegur në vitin 1914 nga andartët grek. Në vitin 1920, u rindërtua nga dervishët. Pas Kongresit të Parë Bektashian, në janar të vitit 1921, (në teqenë e Prishtës-Skrapar), Këshilli Atnor i zgjedhur, filloi punën për drejtimin dhe organizimin e bektashizmit në Shqipëri, në teqenë e Sukës. Këtu u krijua edhe Selia e Parë për Shqipërinë. Këtu, nën drejtimin e baba Ali Tomorrit. filloi botimi i gazetës bektashiane “Reforma”, e cila pati periudhën e botimit në vitet 1922-1923. Në vitin 1940, deri në vitin 1950, këtë teqe e drejtuan: dervish Abas Hasan; dervish Ibrahim Saliko; dervish Mustafa Sulo’ dervish Islam Ademi; dervish Ethem Pelo; dervish Muhamed Sheme; dervish Ali Ahmet dhe dervish Hysni Velil. Pas vitit 1950, këtu shërbyen: baba Abedin Agaj; dervish Kasëm Plashniku; dervish Esat Lazarati dhe në vitin 1955, baba Abdurraman Hoxha. Teqeja ishte shumë e pasur me prona të mëdha. Në vitin 1967 kjo teqe u mbyll dhe u përdor si zyra, vatër culture e magazine. Më vonë ajo u kthye në qendër shëndetësore, spital, shtëpi lindje, farmaci etj. Paradoksalisht, në trazirat e vitit 1997, asaj iu dogj çatia dhe u rrënua. U rindërtua në vitin 2009. Data 5 korrik e çdo viti, është dita e pelegrinazhit bektashian, ën këtë objekt të shenjtë.

Përgatiti:  Xh. ÇULLHAJ