E hëna e 6 majit 2024, shënoi një ngjarje të veçantë për bektashinjtë, të mbledhur në ditën e pelegrinazhit tradicional, në teqenë Durballi-Sulltan, Larisa-Greqi. Ndryshe nga herët e tjera, në këtë pelegrinazh, përgatitur, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, pati jo vetëm më shumë besimtarë, por ishin të pranishëm e përshëndetën dhe përfaqësues të Prefekturës Larisa, Bashkia Larisë, intelektualë e klerikë bektashianë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut. Po ashtu, ishin dhe klerikë e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë, media televizive e ajo e shkruar vendase etj… Besimtarët e shumtë, të pranishëm në këtë ngjarje të shënuar, ndonëse flisnin gjuhë të ndryshme, i bashkoi riti i festës bektashiane, mesazhet e paqes, vëllazërisë, bashkëjetesës fetare dhe besimi tek i Madhi Zot.
Ritet e kësaj dite, u paraprinë me një mjedis të mrekullueshëm të përgatitur për këtë rast, ku në qendër u afishuan flamujt kombëtar të Greqisë, Shqipërisë, Bektashian dhe Europian. Personalitetet që përshëndetën në këtë ceremoni, theksuan me mirënjohje, vendimin e Selisë së Shenjtë Bektashiane, për të shtyrë datën e peligrinazhit (nga data 1 maj, për në 6 maj), në respekt të vëllezërve të krishterë vendas, që kishin ritet e pashkëve ortodokse.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, udhëhoqi ceremoninë e këtij rasti, njëkohësisht pati biseda të veçanta me personalitetet e pranishëm si dhe gjatë gjithë ditës, takoi e bashkëbisedoi me grupe pelegrinësh.
Kryegjyshi, gjithashtu, dha prononcime dhe intervista me shumë gazetar që erdhën për të ndjekur këtë pelegrinazh.
Me shumë interes, u ndoq dhe ekspozita e përgatitur enkas për këtë ditë, ku Kryegjyshi Botëror Bektashian, shoqëroi dhe i njohu me detaje personalitetet.
Shënim: Në ditët në vazhdim, do të publikojmë një reportazh të gjatë, me detaje nga ky pelegrinazh.