THEMELIMI I TEQESË BEKTASHIANE TË DETROIDIT-MIÇIGAN, SHBA, NGJARJE ME RËNDËSI NË HISTORINË E BEKTASHIZMIT

Në kalendarin e historisë tetë shekullore të bektashizmit, mes datave që përfshin muaj maj, është dhe një datë e rëndësishme: Dita e çeljes së Teqesë Bektashiane, në Detroid-Miçigan, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si datë e çeljes së saj, njihet 15 maj i vitit 1954. Ky institucion bektashian, këtë maj, mbush plot 70 vjet nga themelimi.

Kjo teqe, u çel mbi bazën e ndihmave shpirtërore dhe materiale të besimtarëve bektashinj në SHBA e jashtë saj, kontributin e intelektualëve të njohur bektashinj e të besimeve të tjerë fetarë. “…Hapja e teqesë së Detroidit në Miçigan dhe përkushtimi i klerikëve që punuan në të, i baba Rexhebit, janë e mbeten piketa të rëndësishme në historinë e besimit të paqtë bektashian dhe historisë së bektashizmit. Në këtë 70-vjetor, ne kemi përgatitur e zhvillojmë një konferencë përkujtimore në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, me objekt, ’70-vjet, Teqe Bektashiane në SHBA’, ku do kumtojnë teologë e studjues të njohur..”-pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Referuar dokumenteve e dëshmive të kohës, një rol të rëndësishëm në çeljen e kësaj teqeje të njohur, ka dhe Imzot Fan Stilian Noli. Me çeljen e saj, këtu shërbeu Dervish Rexheb Beqiri, që më vonë, mori dhe titullin ‘Baba’.
Por roli i baba Rexhepit, në ecurinë dhe konsolidimin e këtij institucioni të shenjtë, mbetet i pa zëvendësueshëm dhe një shembull që ka reflektuar e reflekton dritë në misionin dhe udhën e paqtë të bektashizmit. Ndër të tjera, për misionin dhe punën e kësaj teqeje, baba Rexhebi ka thënë: “Dyertë e Teqeve Bektashiane janë gjithmonë të hapura për të gjithë njerëzit, Shqiptarë dhe të huaj, pa marrë para syve fenë, origjinën, ngjyrën, racën ose klasën shoqërore të tyre. ‘Shtëpia e Haxhi Bektashit’ është shtëpia e të gjithëve’, ka thënë Naim Frashëri. Kjo është tradita që ndiqet nga Teqeja jonë, e cila i mban dyerët e hapura për të gjithë. Dhe duke ndjekur rrugën e Haxhi Bektashit, ajo gjithmonë predikon paqen, dashurinë dhe vëllazërimin midis të gjithë Shqiptarëve dhe me të gjithë njerëzit.”
Kurse ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi, ka thënë: “…Kur mjegulla u largua përgjithmonë, kur errësira mori arratinë prej Shqipërisë, atëherë u zbulua edhe figura e Baba Rexhebit, e këtij kleriku të shquar dhe atdhetari të ndritur. I pari mendim që më vjen, ndërsa kujtoj takimet e mia me këtë shenjtor, është pikërisht ai se çdo fjalë e Tij, ishte një shkollë e madhe. Rrallë fliste, shumë rrallë, por gjithmonë fjala e Tij kishte një peshë të madhe të çuditëshme, emocionuese. Ato fjalë të thëna bukur, të vendosura me aq kujdes në bisedë, më kujtonin gjithmonë gurët e bardhë të shtëpive gjirokastrite me simetrinë dhe dritën e bardhë të tyre”.
Në mjediset e Odeonit, në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, konferenca përkujtimore për 70-vjetorin e çeljes së Teqesë së Detroidit-Miçigan-SHBA, fillon në orën 11:00, të datës 10 maj 2024.