KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ MERR PJESË NË PËRURIMIN E QENDRËS KULTURORE – SOCIALE ‘ ATË ZEF VALENTINI SJ’ PRANË KISHËS FAMULITARE ‘ ZEMRA E KRISHTIT ‘, TIRANË

Ditën e shtunë, më 18 maj 2024, është përuruar Qendra Kulturore-Sociale “Atë Zef Valentini SJ” pranë Kishës Famulitare “Zemra e Krishtit” në Tiranë, ku shërbejnë etërit Jezuit.

Kjo qendër multifunksionale e munguar deri më sot, përfshin mjedise si: librari, ambiente arsimore e kulturore, sallë konference, etj. Këto ambiente do të mirëpresin, jo vetëm anëtarët e bashkësisë, por edhe qytetarë, të rinj e të reja, që angazhohen në mbrojtjen e themeleve e të drejtave të shoqërisë dhe vlerave më të larta njerëzore. Për herë të parë, kishës famullitare i shtohet këmbanorja pas 100 vjetësh mungesë.
Në praninë e veçantë të Atë Arturo Sosa SJ, Eprori i Lartë i “Shoqërisë së Jezusit”, të autoriteteve fetare dhe civile, të miqve dhe dashamirësve, Arqipeshkvi, Imzot Arjan Dodaj F.d.C., pasi, në emër të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, u shpreh me fjalë mirënjohjeje dhe falenderimi ndaj Jezuitëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, bekoi mjediset gjatë një momenti lutjeje.
Nga ana tjetër, Atë Arturo Sosa SJ, përshkroi shkurtimisht historinë e “Shoqërisë së Jezusit” në Shqipëri, i pranishëm në Shqipëri prej vitit 1841. Atë Zef Valentini, mbetet figura qendrore e studiuesit të jashtëzakonshëm të gjuhës, antropologjisë e kulturës shqipe, si dhe emblemë e identitetit jezuit në Shqipëri. Për të mos harruar i lumi Atë Giovanni Fausti SJ, misionar italian dhe Atë Daniel Dajani, jezuit shqiptar – të dy u martirizuan gjatë regjimit komunist.
Brenda Kishës Famullitare më pas, Arqipeshkvi ka kryesuar kremtimin Eukaristik në Vigjiljen e Rrëshajave, ku morën pjesë një numër i madh besimtarësh nga anembanë Arqidioqeza jonë, bashkë me lëvizjet kishtare dhe ata që po pranojnë sakramentin e Përforcimit këtë vit. Homelinë e mbajti Atë Arturo Sosa SJ, i cili bashkëndau me të pranishmit përvojën e gjallë të sinodit, duke qënë ai bashkë me Arqipeshkvin, anëtarë të asamblesë sinodale në Romë.