Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i uron fëmijët në Shqipëri e mbarë botën për shëndet, lumturi dhe ditë të begata, duke u bërë njëkohësisht apel prindërve të tyre, strukturave shtetërore e shoqërore që të investojnë më shumë për fëmijët, si e ardhmja e nesërme. “Me rastin e 1 Qershorit, ditës së tyre, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, uroj e bekoj nga zemra të gjithë fëmijët në Shqipëri e kudo në botë, që me dashurinë, adhurimin e besimin në Zot, të kenë shëndet të plotë dhe mbarësi në jetë.
Njëkohësisht, u bëj apel prindërve, strukturave shtetërore e atyre shoqërore, që me durim e me besim tek i Madhi Zot, të bashkojnë e shtojnë përpjekjet për zbatimin e të gjitha të drejtave e lirive për fëmijët, për rritjen e shëndetshme dhe edukimin e tyre, pasi kjo jo vetëm është detyrë për të gjithë, por se fëmijët, janë qeniet e pafajshme e të brishta sot, por janë po ata që nesër do i japin formën dhe jetën njerëzimit.
“Në këtë ditë të shënuar, një qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, i bekoj dhe uroj fëmijët shqiptarë dhe ata në gjithë botën, ‘Gëzuar festën tuaj!’ Paçi dashuri e harmoni, për të qenë sot dhe nesër dinjitos në udhën tuaj në jetë. Uroj në këtë festë gjithashtu dhe prindërit e tyre, duke u bashkangjitur apelin që me besimin tek i Madhi Zot, të lindin e të rrisin fëmijë të shëndetshëm e të mbarë, të bëjnë detyrën e tyre prindërore me përgjegjësi e përkushtim, duke ndjerë kështu dhe frytin e punës tek krijesat e tyre kur të rriten. Po ashtu, edhe strukturat shtetërore e shoqërore, të gjithë ne, duhet që në të ardhmen, të bëjmë më shumë për fëmijët. Është detyra e të gjithëve që të impenjohemi e të bëjmë më shumë për fëmijët, lumturinë e begatinë e tyre, sidomos në këto kohë të trazuar, ku mjaft fëmijë të pafajshëm, po humbasin jetën në vatrat e luftës. Bëj apel që të gjenden rrugë e mjete për ndalimin e dhunës, që po bie pa mëshirë dhe mbi fëmijët, krijesat e pafajshme. Gëzuar festën e 1 Qershorit! Zoti u bekoftë të gjithëve!”- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.