MBUSHEN 15 VJET, NGA DITA E HAPJES SË THEMELEVE TË TEQESË ‘DEDE RESHAT BARDHI’, TË SARANDËS

Dita tradicionale e pelegrinazhit vjetor në teqenë ‘Dede Reshat Bardhi’-Sarandë, 4 qershori, ka një simbolikë të veçantë këtë vit, pasi plot 15 vite më parë, në këtë objekt kulti, u bë përurimi i themeleve, ku gurin e parë, e vendosi ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi. “…Është një ngjarje e shënuar dita e 4 qershorit 2024, jo vetëm për besimtarët e Sarandës, por për gjithë bektashinjtë, pasi ky objekt kulti madhështor, që mbanë emrin e ish-Kryegjyshit Botëror, Dede Reshat Bardhi, ish-Myrshidit tim, para 15 vitesh, nisi të ndërtohet. Me hijeshinë që ka, me misionin për ruajtjen e përhapjen e besimit tonë të paqtë, me emrin që mbanë, ‘Dede Reshat Bardhi’, kjo teqe, është dhe do të jetë një objekt adhurimi për sot e për brezat që vijnë. Ndaj dhe pelegrinazhi që përkon me këtë ditë, është plotësisht besim e shpresë për të gjithë besimtarët…”- pohoi mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Teqeja ‘Dede Reshati’ e Sarandës, që është teqeja më e re e ndërtuar nga themelet në Shqipëri, hodhi themelet më 4 qershor të vitit 2009, në gjurmët e vjetra të Sari Salltikut në faqen e kodrinës pranë detit. Punimet u bënë nën drejtimin e Baba Sadik Ibrokodhelit. Kjo teqe është përball Korfuzit, atje ku ndaloi Sari Salltiku, misionari i parë i Islamit dhe bektashizmit, sot i thonë kisha e Spirodhonit. Në momentin e nisjes së ndërtimit, ndër të tjera, Dede Reshat Bardhi (emrin e të cili do të merrte teqeja më vonë) tha: “ Ndihem sinqerisht i lumtur dhe shumë i respektuar të vendos gurin e themelit në teqenë tonë të re në Sarandë. Teqeja, në këto vite, ka marrë formën e plotë me tyrben e bukur. Ajo ruan elementët bektashian, me dhoma të bollshme, mejdanin, kafeoxhaku, kuzhina. Ka edhe dhomën muzeale me objekte të shumta origjinale bektashiane.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ