URIMI I KRYEGJYSHIT BOTËROR, PËR KURBAN BAJRAMIN

Me rastin e Ditës së Kurban Bajramit, ditën e dielë, 16 qershor 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët dhe dashamirësit të kudondodhur në botë.
Ndër të tjera, në këtë mesazh thuhet: Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, të falënderojmë Allahun e Lartmadhërishëm, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, u uroj të gjithëve gëzim e lumturi në familjet tuaja, paqe, dashuri dhe vëllazëri për të gjithë! Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a. s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.).
Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti.
Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.
Të reflektojmë, për harmoni e shpresë.
Ta duam e ndihmojmë njëri-tjetrin.
Zoti i Madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë, u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën.
Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!”