Ditën e hënë, 17 qershor 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, vizitoi teqenë e Ballenjës, në prag të 29 qershorit: Peligrinazhit tradicional vjetor në këtë teqe.
Gjatë kësaj vizite Kryegjyshi Botëror, u prit nga baba Hysni Shehu, i cili e drejton aktualisht këtë objekt të rëndësishëm bektashian.
Kryegjyshi e përgëzoi baba Hysniun, për punën e mirë që po bën për ringritjen e teqeve bektashiane dhe ringjalljen e bektashizmit në zemrat e besimtarëve.
Kujtojmë se, më 29 qershor të çdo viti organizohet pelegrinazhi për Ballëm Sulltanin. Iniciatori i parë i këtij pelegrinazhi është intelektuali, Agim Biçaku, datë të cilën e miratoi ish-Kryegjyshi, i paharruar Dede Reshat Bardhi, në vitin 2003. Kjo teqe është shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë nga Ministria e Kulturës me Urdhër nr. 388 datë 16.06.2017, “Vendi i Mirë Ballëm Sulltan (Guva), pranë teqesë së Vjetër” dhe zona e mbrojtur e tij. Drejton teqenë prej vitesh baba Hysni Shehu dhe sekretar sot është Skënder Gjoni. Teqeja mirëmbahet dhe ka popullaritet në zonën e Martaneshit dhe Bulqizës.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ