Ditën e premte, 12 korrik 2024, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj vizitoi arkivën e Autoritetit dhe plotësoi formularin për t’u informuar me dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për rreth 70 klerikë të këtij komuniteti të dënuar, burgosur dhe pushkatuar me vendosjen e regjimit komunist etj.
Gjatë këtij takimi, midis të tjerash, Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha se: ” Riciklimi i narrativave të vjetra është i domosdoshëm. Do bashkëpunojmë ngushtë me qëllim shkëmbimin e dokumentave dhe dëshmive, të cilat do i shërbejnë zbardhjes së fateve të figurave të shquara të këtij komuniteti me synim rindërtimin e historive mbështetur në fakte. “
Nga ana tjetër, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj pasi e falenderoj për pritjen dhe punën e realizuar deri tani tha se : ” Është e domosdoshme të njihet dhe të studiohet devotshmëria dhe atdhedashuria e Klerit Bektashi, dënuar e pushkatuar pa të drejtë në atë periudhë të errët të kombit”.
Gjatë takimit u trajtua edhe bashkëpunimi i mëtejshëm, me lidhjen e një marrëveshje mes palëve në fushën e studimit, shkëmbimit të dokumenteve, simpoziumeve shkencore etj.