DON EMILIO VALENTE, NGA KISHA KATOLIKE – SHKODËR, VIZITON SELINË E SHENJTË BEKTASHIANE 

Don Emilio Valente, nga Kisha Katolike Shkodër, i shoqëruar nga një ipeshkv, një prift dhe katër kandidatë për priftërinj, kanë zhvilluar ditën e enjte, 18 korrik 2024, një vizitë në Selinë e Shenjtë, ku janë pritur edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. 
Kyegjyshi fillimisht i ka uruar mirëseardhjen miqve dhe më pas ka bërë një prezantim të shkurtër duke i njohur nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/ fonotekën, galerinë etj. si dhe me historinë 800 vjeçare të Bektashizmit, përmes veprave të ruajtura në muze dhe në bibliotekë. 
Po ashtu, Kryegjyshi theksoi rolin që Kryegjyshata Botërore Bektashiane luan në dialogun dhe harmoninë fetare si dhe vizionin e saj për përhapjen e mesazhit të pastër e të drejtë të paqes në vendin tonë, si dhe në botë.
Miqtë kanë vlerësuar frymën e bashkëpunimit dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si një vend model dhe për Europën në aspektin e respektit dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ