Me rastin e festës së Ashures, ditën e dielë, 21 korrik 2024, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata e Skraparit, zhvilluan ceremoninë tradicionale të ashures, në teqenë e Kulmakut, Skrapar.
Në këtë ceremoni tradicionale, merrnin pjesë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i cili drejtoi edhe ritet e kësaj feste, klerikë bektashian, shtetarë, besimtarë nga Shqipëria e hapësirat mbarëshqiptare, si dhe dashamirës të bektashizmit.
Në fjalën e rastit, Kryegjyshi Botëror ndër të tjera u shpreh: “ Kemi agjëruar së bashku nëntë ditë të matemit, kemi biseduar e përcjellë së bashku ngjarjet tragjike të Qerrbelasë. Kemi kujtuar dhe sjellë ndër mend aktin sublim të 72 dëshmorëve dhe kalorësin e pavdekshëm Imam Hysenin, paqja qoftë mbi ‘Të. Kemi parë dhe kemi folur se deri në çfarë mase mund të shkojë djallëzia dhe ligësia njerëzore e trupëzuar tek Jezidi dhe Mavija. Mallkimi i Zotit të Lartë i përcjelltë ata dhe ndjekësit e tyre! Dhe apeli jonë mbetet, më shumë mirësi, paqe dashuri e unitet mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje”.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ