DIT’ PAQE, BEKIMI E SHPRESE NË PELEGRINAZHIN BEKTASHIAN NË MALIN E TOMORRIT (20-25 GUSHT 2024)

Në këto ditë të pelegrinazhit madhështor në malin e Tomorrit, 20-25 gusht, gjithë pllaja e Kulmakut deri në Çukën Abaz Ali, është mbushur pelegrinët e shumtë, të ardhur nga gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Italia, Franca, Polonia dhe nga vende të tjera të botës, duke i dhënë gjallëri të veçantë këtij mjedisi të shenjtë.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, në teqenë e Kulmakut, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, priti dhe përcolli me dashuri e ngrohtësi, pelegrinët, personalitete të ndryshëm. Në këto ditë teqeja e Kulmakut ishte si të thuash, Selia verore e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Masat organizative të marra nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe gjyshata e Skraparit, ishin më të mira se çdo vitë tjetër si: zgjerimi dhe rulimi i rrugës prej 7 km nga teqeja e Kulmakut deri në Abaz Ali, (që mund të kaloj çdo automjet); sigurimi i ujit të pijshëm, dekori gjithëpërfshirës me flamuj, stenda të ekspozitës fotografike, fotografi të shumta në ambientet e teqesë të dervish Iljazi etj. Dy ekranë të mëdhenj televiziv, pasqyruan aktivitetet e ditëve të pelegrinazhit. Mendja vendase dhe e huaj, i dhanë mjaft hapësira këtij aktiviteti.

Në ceremonialin kryesor të 22 gushtit, në traditën e përvitshme, morën pjesë pelegrinët e shumtë, klerikët bektashian nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, personalitete si deputetë, përfaqësues të institucioneve shtetërore e vendore, personalitete të artit e kulturës nga Maqedonia e Veriut, studiues, teologë etj.

Ceremonialin zyrtar e drejtoi aktori Dritan Boriçi. Pas Himnit Kombëtar dhe ai Bektashian, Aktori Bujar Asqeriu recitoi pjesë nga vepra e Naim Frashrët “Qerbelaja”.

Në vijimësi, Kryegjyshit Botëror të Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, duke përshëndetur në ceremoni, ndër të tjera tha: “Duke ju uruar të gjithë ju pjesëmarrës për ardhjen tuaj në këtë vend të shenjtë, në tempullin e lashtë të Tomorrit, të njohur në historiografinë Botërore, si tempulli i lashtë i Dodonës pellazgjike dhe më vonë, tempulli i shenjtë i Abaz Aliut. Ardhja dhe pjesëmarrja juaj, në këto ditë të shenjta, në këtë vend të shenjtë. Ju qoftë ndihmë dhe mbarësi! Historia më e pare, dhe më e lashtë e Dheut tonë, vërtitet rreth Tomorrit mitik, malit Hyjnor, malit Zot, Perëndi e të gjithëve, aty ku gjenden kulmet, lavdia e madhështisë së Kombit tonë. Tomorri, si një mal vigan historie, njihet qysh herët, që nga fillimet e para të shkrimeve homerike. Kombi ynë, në emër të këtij mali, përmendet si rrallë ndonjë komb tjetër, me kultin e tij; Tempullin më të lashtë dhe më të parë të Shenjtë mbi dhe’, të Dodonës pellazgjike. Eskili, shek 5 para erës së re, tek vepra e tij “Prometeu i lidhur” thotë: “….kur ju të keni arritur, në tokën e Molosëve të Dodonës së sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot”. Në librin e tij të 7 ai shprehet se Tempulli gjendet në majën më të lartë, që është Tomorri sot. Herodoti, në librin e tij të 4, kur bën fjalë për Shenjtërinë e Tempullit, të Malit hyjnor, për Profecitë, fate dhënësit e tij, të cilin e ka parë dhe vizituar vetë Tempullin, shkruan: “Në tempull gjendeshin tri Profetesha, të cilat përcaktonin fatin e njerëzve për kohë të ardhshme, gjë që bënte, që në këtë tempull, në këtë mal, nga ku po ju flasim, vinin, qindra mijëra pelegrinë, përtej viseve të Ilirisë së Veriut e Ilirisë Jugore. Historiani i vjetër grek, Dionis Halikarnasi, në librin e tij të dytë pohon, një fakt shumë domethënës të shenjtërisë së këtij vendi. Enea, heroi i luftës së Trojës, arriti me ushtarët e tij, më të zgjedhur, këtu në këtë tempull, në këtë mal, ku i kërkoi ndihmë dhe mendim Perëndisë për gjetjen dhe të atyre Trojanëve, që kishin ikur bashkë me Helenën. Enea mbërriti në vendin e Enianëve, pra në këtë tempull, me të cilët lidhet kështu emri i përbashkët, siç duket dhe i origjinës së paraardhësve të kombit tonë. Sami Frashëri, shkruan se edhe në kohërat më të lashta të qytetëruara të Greqisë, tempulli që ndodhet në Epir (bëhet fjalë për tempullin që ndodhet në Tomorr), ishte i famshëm për shenjtërinë e tij. Dhe më tej, Sami Frashëri shton: “Tempulli i këtij mali, vizitohej nga qindra mijëra njerëz të vendeve të ndryshme dhe iu përkiste paraardhësve të kombit tonë pellazgëve”.

Pikërisht në këtë tempull të shenjtë, të njohur qysh herët që në kohët më të lashta, nga fusha përvëluese e Qerbelasë, ku po derdhej gjaku dhe shkruhej historia, në vitin 680 para Krishit, kundër diktaturës famëkeqe të kohës, mbretit të zi të ujdhesës arabe, Jezidit të Mavisë, që kishte rrethuar pabesisht 72 luftëtarë të vetëm të pa përgatitur për luftë me Imam Hysejnin në krye, duke i shkelur të gjitha ligjet e luftës e të besës, duke i helmuar, të vetmin burim të jetës lumin Eufrat. 72 heronjtë e Qerbelasë, me Imam Hysenin në krye, po luftonin dhe qëndronin heroikisht kundër armiqve të shumtë të falangave të Jezidit. Abaz Aliu, kur pa, që foshnjat po qanin dhe u ishin çarë buzët për ujë, në temperaturat përvëluese të shkretëtirës, rrëmbeu kacekun e fluturoi, siç thotë poeti ynë i madh i Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri:

Ç’është ai që shkon kaluar,/

Me 2-3 foshnja ndër duar,/

…Është Abaz Aliu.

Heroi i Qerbelasë, siç dihet, erdhi pikërisht në atë kohë në tempullin e vetëm, për të mëkuar foshnjat dhe luftëtarët e Qerbelasë, të cilët vazhdonin betejën. Si shenjtor që ishte, bekoi dhe vendin.

Abaz Aliu zu Tomorrë,/

Erdhi afër nesh,/

Shqipëria s’mbet; e gjorë,/

Se Zoti atë e desh.

Abaz Aliu, heroi i luftës, prej këndej, shkoi në Qerbela dhe luftoi në fushën e betejës, krah vëllait të tij Imam Hysejnit. “Unë nuk kam frikë nga vdekja, sepse vdekja vazhdon të thërrasë për hakmarrje, unë luftoj derisa të mos dukem më në fushëbetejë, shpirti im është të mbroj shpirtin e Mustafas, të pastruarit, unë jam Abazi. Unë kam ardhur me bartësin e ujit dhe nuk kam frikë nga dita e fushëbetejës”.

Abaz Aliu, heroi i Qerbelasë, ky kalorës trimërie, hyjnizoi dhe lartësoi idealet e larta për liri, ideale që përcillen si vegim i kohës deri në ditët e sotme.

Shumë kohë më vonë, rreth shekullit 14, Hysen Tusiu, misionar i parë, stërnip i familjes profetike, i ngarkuar me mision për të përhapur Kuranin e atëhershëm të shkruar me dorë, erdhi në trojet tona me një torbë dhe’ të marrë nga vendi i fushës së Qerbelasë ku ishte derdhur gjaku i dëshmorëve, me në krye Imam Hysejnin dhe Abaz Aliun.

Duke qenë i informuar, se në këto troje, gjendej në këtë mal tempulli më i lashtë dhe më i shenjtë i dheut, siç pohon Homeri, popull hyjnor i besuar i Zotit, varrosi torbën me dhe’ e pikërisht në këtë tempull, ndërtoi mekamin e Abaz Aliut. Kurani i shenjtë, duke treguar historinë e 7 shenjtorëve të Efesit, i është referuar dukurisë: ”…ne bëmë që historia e tyre të jetë publike, në mënyrë që populli të dinte se premtimi i Zotit ishte i vërtetë. Ndërtojuni atyre një ndërtesë, të jetë e shenjtë. Zoti e di më mirë për ta (sure el kef vargu 21, faqja 342).

Në hadithet profetike thuhet se: “…kur ta ndjeni veten ngushtë, do ti drejtoheni vendeve të mira, ato e dinë hallin tuaj”. Mekami i Abaz Aliut, në të vërtetë, është vend i shenjtë, një prej shtëpive për të cilën Zoti i plotfuqishëm tha: “Shtëpitë që Allahu ka shpallur që të jenë tepër të respektuara dhe emri i tyre të përmendet aty me nderim, në mëngjes dhe në mbrëmje”. (Kuran 24:36). Duke e nisur, nga jeta e heronjve mitik, që janë përkushtim për Perënditë, bektashinjtë u përkujdesën veçanërisht në shërbim të shenjtërimit të këtij tempulli. Që nga ajo kohë, tradita vazhdon, deri në ditët e sotme pa dallim, mes gjithë besimeve. Sot tempulli i lashtë i Dodonës, Tempulli Abaz Ali, është kthyer si dikur në një tempull botëror, ku vijnë qindra mijëra pelegrinë përtej viseve të Ilirisë së veriut dhe Ilirisë së jugut, siç vinin dikur dhe ne i presim ata me dashurinë dhe mirësinë e këtij mali, e këtij vendi të shenjtë. Ditët e Tomorrit, që po përjetojmë të gjithë janë ditë lutjesh, blatimesh për Perënditë, janë ditë përkushtimi dhe flijimesh për çdo njeri, pavarësisht se c ‘praktikë besimi ndjek, janë ditë të një botëkuptimi, vizioni që krijon për të ardhmen e tij. Abaz Ali, si një kalorës trimërie na thërret sot të gjithëve dhe na udhëheq në udhëtimin tone: Jini përherë mirënjohës ndaj mirësisë së Zotit. Shembulli i Abaz Aliut, të na frymëzojë që të thellojmë lidhjen tonë me Zotin, mësimet e tij.

Urtësia, paqja dhe dashuria për jetën që ushqeu dhe luftoi heroi i Qerbelasë Abaz Aliu, le të jetë një përkushtim i palëkundur i yni, për të mbizotëruar në jetën tonë.

Edhe në çastet më të vështira, edhe kur kushtet dhe mundësitë ishin ende të pamundura, ashtu siç iu drejtua Imam Hysejni popullit dhe armiqve të tij duke përcjellë mesazhe paqeje. Abaz Aliu, ky kalorës i trimërisë historisë, paqes, dashurisë dhe urtësisë, na bën ne që të jetojmë me mesazhin e madh të tij, “lufta është luftë, paqja është më e mirë se çdo gjë tjetër. Për paqe të flasim të gjithë”. Duke u nisur nga ky mesazh i madh i Abaz Aliut, që shkroi dhe përjetoi historinë ngadhënjimtare të Qerbelasë, të kësaj Epopeje që sot rrezaton me vizionet e saj paqen dhe dashurin, mesazhi im sot në këtë ditë është: për kombet që janë sot në luftë dhe gjakderdhje.

Lusim Zotin e madh për paqe, armëpushim, pavarësi, kombe të lulëzuara nga jeta e prosperiteti me shikimin nga e ardhmja e ndritur e brezave që do të vijnë. “Bëjeni paqen me Krijuesin tuaj, që shpirti e jeta juaj të jenë në paqe, e jetoni në harmoni me njëri-tjetrin, që të mos e shkatërroni botën. Jini paqësor me njerëzimin dhe do të jeni të sigurt, punoni për të ardhmen e do të jeni të suksesshëm -Hazret Imam Aliu (as)”

Unë u uroj e bekoj që këto ditë të Shenjta, që na bëjnë bashkë, në pelegrinazhin e përvitshëm të Malit të Tomorrit, të jenë nxitëse të dashurisë, mirësisë, dhembshurisë, përkujdesjes, për njëri tjetrin, përsosjen e pastrimin shpirtëror, e vijimit të jetës me besimin në Zot, me pozitivitet e vepra të mira për veten, familjen e shoqërinë.

Mesazhi dhe vizioni i kalorësit të trimërisë dhe historisë, Abaz Aliut, na fton të gjithëve, të shohim më shumë nga Zoti, të jemi sa më pranë tij, të udhëhiqemi nga mësimet e tij, në mënyrë që ne si popull, si vend të bëhemi pjesëtarë, të asaj familje të madhe evropiane, në të cilën ndodhemi dhe i përkasim. Zoti na dhëntë paqe dhe dashuri.

Zoti na bekoftë të gjithëve ! Amin!”

…Më pas, malin e Tomorrit e gjallëruan këngët e bukura të folklorit tonë popullor dhe bektashiane nga Ansamblet “Myzeqeja”, Fier, Ansambli folklorik “Vëllezërit Çitiri”, Gramsh, dhe ansambli’ Sadi Halili” Librazhd dhe këngëtari i njohur Dule Malindi. Në fund të ceremonisë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Edmond Brahimaj ndau disa “Mirënjohje”, edhe njëherë, ai uroi gjithë pjesëmarrësit për dashuri vëllazëri e mirësi në familje.

Përgatiti: B. GOROVELLI

Fotot: N. ÇUMANI

 

Atmosfera festive ditën mërkurë, 21 gusht 2024, në mbrëmje.