ZHVILLOHET CEREMONIA E PELEGRINAZHIT TRADICIONAL NË TYRBEN E BABA RIZAIT NË LEVAN, TEPELENË

Që në orët e para të ditës së dielë, 1 shtator 2024, besimtarë bektashianë e dashamirës të shumtë të zonës së Levanit, fshatrat përreth, nga Tepelena e nga rrethe të tjerë të Shqipërisë, udhëtuan drejt tyrbes së njohur të baba Rizait në fshatin Levan, Tepelenë, për të kryer ritet e pelegrinazhit tradicional vjetor. Mes tyre kishte dhe shumë vendas me banime në qytete të tjerë të vendit e deri nga emigracioni.

Ceremonia tradicionale, filloi në orën 10:00, ku përshëndetjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, u’a përcolli besimtarëve, dervish Hasan Carkanji, i cili drejtoi edhe ritet e këtij pelegrinazhi.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian.
Të nderuar klerikë, vëllezërit e mi!
Të nderuar besimtarë bektashianë, dashamirës dhe të ftuar!
Kam ardhur në Levan dhe kam ndier kënaqësi të veçantë. Një fshat i vogël po me tradita të vjetra, atdhetare dhe fetare. Më vjen mirë se fshati juaj ka vende të shenjta si: tyrbe e dervish Jonuzit, në lagjen Rrapaj, mekami i baba Orhanit në lagjen Gjergaj,, tyrbe e baba Rizait që e përkujtojmë sot me dashuri dhe respekt të madh. Ju kini pranë teqe e tyrbe të shumta të zonës suaj, teqeja e Harkopit, teqe e baba Zotos, Krahës, tyrbe e baba Muharremit dhe dervish Jonuzit, gjithë Tepelena është me vende të shenjta, teqe, tyrbe mekame dhe Vende të mira.
Më lejoni t’ju uroj e bekoj: Paçi fat e mbarësi kurdoherë në familjet tuaja!
Sot përkujtojmë baba Riza Buzi (Çaushi), i cili gjatë gjithë jetës së tij la gjurmë dhe fitoi respektin dhe dashurinë e gjithë fshatit dhe krahinës së Tepelenës. Ai lindi 20 maj 1905 në fshatin Lajthizë të krahinës së Buzit nga një familje e thjeshtë fshatare. Prindërit i ndërruan jetë herët dhe Rizai mbeti jetim. U rrit nga të afërmit e tij, dhe mori dashurinë për punën dhe besimin bektashian. Nga viti 1915-1935 është marrë me punët e bujqësisë. Me të afërmit dhe banorët e fshatit shkonte në ceremonitë fetare në teqetë e zonës Rabije, Harakop, Memaliaj si: Sulltan Nevruzi, Matemi dhe Ashurja, Bajrami i Madh dhe i Vogël. Kështu gradualisht te Rizaj u shtua dashuria për Zotin dhe besimin bektashian.
U bë myhib në teqenë e Harkopit në vitin 1935. Më pas sipas rregullave bektashiane bëri përgatitjen si kandidatë për dervish. Në vitin 1939 u vesh dervish, dhe punoi me përkushtim në teqenë Kulmakut, bëri kursin 6 mujor në kryegjyshatën Botërore bektashiane, në vitin 1946, për përgatitjen si klerik dhe mori një kulturë të gjërë bektashiane. Shërbeu në teqenë Zallit, teqenë e Rozecit. Mori gradën Baba dhe shërbeu në teqenë Koshtanit dhe së fundi në teqenë e Maricaj të Tepelenës deri në vitin 1967 kur feja u ndalua me ligj. Në kushte të vështira ekonomike ai u mbështet te te nipi Velo Alika, i cili ishte djali i motrës së tij Halimes e martuar në Levan të Tepelenës. Këtu ai kishte dhe vëllain shpirtëror baba Neki Çaushi dhe qanin hallet dhe bisedonin për bektashizmin. Baba Rizai kaloi nga jeta në moshën 92 vjeçare 29 prill 1997. Në kujtim të tij në fillim i bënë një varosh në lagjen Gjergjaj, kurse në vitin 2022 djali i Velos, Xhevahiri i ndërtoi këtë tyrbe të bukur, i cili pastë bekim dhe urta nga baba Rizai. Kontributi i baba Rizait është i mirënjohur kudo në Tepelenë, ku ai në teqetë ku shërbeu predikoi besimin bektashian, dashurinë për Zotin dhe atdheun. Ai mbetet i paharruar predikoi vëllazërimin, dashurinë për njeri-tjetrin dhe të jemi bashkë gjithmonë. Me këtë rast dua të falënderoj z. Xhevahir që i ndërtoi këtë tyrbe të bukur dhe në përjetësim të baba Rizait. Falënderoj gjithë banorët e fshatit Levan në dashurin dhe respektin që tregojnë për besimin bektashian.
Gjithashtu klerikun e palodhur dervish Mikel Onjea me dervishin Ermalin, për kontributin që japin për bektashizmin në Tepelenë dhe në përhapjen e frymës të vëllazërisë dhe shpresës.
Me këtë rast ju urojmë të gjithëve, shëndet dhe dashuri të duam njeri-tjetrin.
Gëzuar këtë ditë të shënuar!
Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!

Fotot: Hisen Sulejmani

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ