PËRKUJTOHET RËNIA E SHENJTORIT SHEMEMI BABAI, NË FUSHË-KRUJË

Ditën e premte, 30 gusht 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj ishte në teqenë e Fushë-Krujës për të përkujtujtuar klerikun dhe martirin bektashian Shememi Babai, në ditën e pelegrinazhit tradicional atje.
Në këtë ditë të shënuar morën pjesë edhe klerikë, besimtarë dhe shumë dashamirës të bektashizmit, të ardhur nga Fushë-Kruja dhe zona të ndryshme përreth.
Baba Shememi, i njohur si baba Shememi i Fushë-Krujës ose baba Shememi i Krujës ishte një klerik dhe martir shqiptar bektashi.
Baba Shememi, emri i plotë i të cilit ishte Qemaledin Shememi Ibrahim, ra fillimisht në kontakt me tarikatin bektashian në teqenë Qyprilli (sot Veles, Maqedonia e Veriut), së bashku me mikun e tij Hatemi Haidar Baba. Ai e ndërtoi teqenë e Fushë-Krujës në kthimin e tij.
Baba Shememi ishte një njohës i ngushtë i Ali Pashë Tepelenës, Vezir i Vilajetit të Janinës të Perandorisë Osmane. Ishte ai që e inicoi Ali Pashën si bektashi. Me mbështetjen e Aliut ndërtoi teqe shtesë në Melçan, teqe të Xhefaji Babës në Elbasan (Xhefaji Ibraim Babai ishte dervish nën Baba Shememin), teqenë e Sadik Babait në Koshtan (afër Memaliajt) etj. Përmendet si tejet mistik. Ai ishte gjithashtu një poet sufi dhe poezia e tij ishte shumë e drejtpërdrejtë me nota të larta kritike ndaj personazheve publike dhe padrejtësive shoqërore të kohës.
Gjatë epokës së tij, Baba Shememi ishte udhëheqësi më i famshëm bektashi në Shqipëri. Teqeja e Dollmave të Krujës kishte 360 tyrbe të shenjta dhe njihej si “Horasani i vogël”.
Baba Shememi u vra në vitin 1831, nga njerëzit e Kapllan Pashë Toptanit nga familja më e fuqishme shqiptare osmane (Toptanajt) e zonës. Kjo përmendet në elegjinë që poeti i periudhës së bejtit Zejnel Bastari shkroi për të pas vdekjes së tij. Sipas studiuesit turk Sadettin Nüzhet Ergun, një letër e dërguar nga një prej ndjekësve të Shememit, e gjetur në librarinë Basri Baba në Stamboll, përshkruan se Baba Shememi u vra me dy plumba në gjoks, duke lexuar librat e shenjtë. Ai u varros në teqenë e tij.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ