TË SHTUNËN, MË 7 SHTATOR 2024, PËRKUJTOHET 9-VJETORI I PËRURIMIT TË ODEONIT BEKTASHIAN

Mëngjesi i 7 shtatorit 2024, Selia e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, pret besimtarë dhe miq të shumtë nga Shqipëria, hapësirat mbarëshqiptare dhe vende të ndryshme të botës, në ceremoninë e 9-vjetorit të përurimit të Qendrës Multi-Kulturore (Odeonit) të Bektashinjve, në Tiranë. Kjo ditë, përfshin një sërë aktivitetesh që nga pritja nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj e vizitorëve që nga ora 09:00 e në vijimësi, vizita në Odeon, në muze, në galerinë e artit e mjediset e tjera, tek ceremonia zyrtare që nis në orën 19:00 me përshëndetjen e Kryegjyshit Botëror, deri tek kokteji që mbyll këtë ditë të shënuar.

NJOFTIM
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, u fton të shtunën, më 7 shtator 2024, në ceremoninë e 9-vjetorit të përurimit të Qendrës Multi-Kulturore (Odeonit), në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë.
Në programin e kësaj dite, përfshihen.
-Pritje nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, të vizitorëve, duke filluar nga ora 09:00 e kësaj dite.
-Vizita në mjediset e odeonit, ekspozita fotografike, muzeu bektashian, arkivi, biblioteka, galeria ‘Omer Kaleshi’, dokumentar i përgatitur enkas për këtë ditë etj…
-Në orën 19:00, zhvillohet ceremonia zyrtare
-Në fund, koktej.
U mirëpresim!

SHKURT, PËR ODEONIN
Odeoni i bektashinjve, është një objekt unikal në vendin tonë e rajon. Objekti kulturor i bektashinjve, filloi punimet në janar të vitit 2004. Kjo vepër, është e vetmja në llojin e vet në të gjithë botën dhe është një ndërthurje e ornamentalistikës islame me traditën shqiptare të ndërtimit. Ideja për ndërtimin e këtij objekti ka qenë e Dede Ahmet Myftarit dhe u realizua nga Dede Reshat Bardhi. Ky objekt ka mermer, granit; vitrazhe me arabeska befasuese për nga rafinimi, kaligrafi arabe, gjithmonë shoqëruar me përkthimin në shqip të emrave të martirëve të besimit bektashianë, që gjenden në këtë faltore. Në tërësi, kompleksiteti i materializimit sjell trashëgiminë e pasosur të shpirtit, pasurisë e traditës bektashiane. Dede Edmond Brahimaj, në përurimin e saj, më 7 shtator 2015 theksoi ndër të tjera: “…Kandili i Haxhi Bektash Veliut nuk u fik, sepse flaka e tij u ruajt nga një aleancë e fshehtë e shpirtrave të besimtarëve tanë…Natyrisht, tek kjo mbijetesë sublime, vlen të kujtojmë sot jetën dhe veprën e qindra klerikëve, të cilët jo vetëm nuk e lanë besimin bektashian të shndërrohej në një kuriozitet muzeal, por përkundrazi, e pasuryan traditën me fije, me shpirt, me moral, me dashuri vëllazërore, me ndenjat më të kulluara ndaj atdheut, familjes dhe krejt shoqërisë njerëzore. Në këtë armatë klerikësh të urtë, bën dritë prej së larti, i vyeri myrshidi im shpirtëror, i paepuri ndër furtuna, i palodhuri ndër vepra të mëdha, si që çeli themelet dhe rriti shtatin e kësaj foltorje, Haxhi Dede Reshat Bardhi.”

VLERËSIME TË PERSONALITETEVE, PËR ODEONIN
Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve: “…Tek kjo mbijetesë sublime, sjellë dhe në këtë objekt, vlen të kujtojmë sot jetën dhe veprën e qindra klerikëve, të cilët jo vetëm nuk e lanë besimin bektashian të shndërrohej në një kuriozitet muzeal, por përkundrazi, e pasqyruan traditën me fije, me shpirt, me moral, me dashuri vëllazërore, me ndenjat më të kulluara ndaj atdheut, familjes dhe krejt shoqërisë njerëzore. Në këtë armatë klerikësh të urtë, bën dritë prej së larti, i vyeri myrshidi im shpirtëror, i paepuri ndër furtuna, i palodhuri ndër vepra të mëdha, si që çeli themelet dhe rriti shtatin e këssj faltorje, Haxhi Dede Reshat Bardhi.
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: “…Faltorja dhe i gjithë ansambli që kemi mirësinë e madhe të jemi këtu për ta përuruar, sot është në fakt, simbolikisht dhe realisht, kurorëzimi i përlindjes së lirisë së bektashizmit dhe përmbushja e jetës së një njeriu të madh dhe të ndjeshëm, e cila u njësua katërcipërisht me atë të komunitetit të cilit ai i përkiste. Sot, dhe vetëm sot, bektashizmi gjen përfundimisht atë të drejtë qytetarie që gjen edhe kujtesa e ndjerë e Baba Reshatit, i destinuar që në fëmijëri, të ndjente peshën e rrënimit, dhunën e përçmimit dhe pastaj dora-dorazi, belbëzimet e para të ringjalljes. Një njeriu të cilit që në fëmijëri e në rini të hershme ju skalit karakteri dhe forca morale pasi i ra për pjesë të ishte dëshmitar i djegies së shtëpisë atërore nga diktatura ateiste dhe të cilit ju konsolidua besimi tamam atëherë kur feja varrosej me pahirin e kërbaçit dhe krimit shtetëror, nuk kish se si të mos kërkonte shëlbimin në mirësinë dhe bukurinë e natyrës, por edhe në perfeksionin e artit dhe artizanatit të mbrujtur nga dora e besimtarit…”.
Anastas, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë: “…Një pamje që të imponon shumë. Një shtëpi e bektashinjve dhe e çdo besimtari që shtyhet në trajtat sufiste të dashurisë njerëzor. Urime të gjithëve, sidomos Kryegjyshit të sotëm Dede Mondit. Urime dhe atyre që punuan për muzeun dhe mjediset e tjera të faltores, duke u prirur në dhënien e koncepteve sa më të qarta të rrugës se si ka lindur ky besim dhe si ka ardhur ai deri në ditët që jetojmë sot. Por unë do desha të vlerësoj dhe mikun tim të vjetër e të paharruar, Dede Reshat Bardhin, me të cilin u lidha ngushtë që në vitin 1991, atëherë kur po ringjallnim fenë e shkatërruar… Sidomos, më kanë mbetur në kujtesë , ditët e vështira të vitit 1997, kur na duhej të mblidheshim së bashku shpesh herë për të marrë vendime unanime, për të hartuar dhe miratuar deklarata paqeje, duke iu ardhur në ndihmë besimtarëve të ndryshëm…”
Piktori i famshëm Omer Kaleshi, piktor shqiptar me famë botërore: “…Jam i mrekulluar dhe i dashuruar njëkohësisht me këtë vepër që është bërë, me këtë tempull të bektashizmit. Jam i gëzuar dyfish, pasi ky tempull është në tokën time, në tokën e shqiptarëve. Përgëzoj gjithashtu dhe specialistët për mjediset funksionale e kompletimin e tyre, si muzeu, biblioteka, arkivi etj… Unë kam premtuar dhe do sjellë një ekspozitë, do ja fal Kryegjyshatës..!”
Robert Elsie, studiues: “… Gjëra të tilla, do i kishte zili çdo vend, çdo komunitet. Kjo faltore dhe mjediset e saj, do të jenë një qendër e rëndësishme, për pasurimin dokumentar të historisë së bektashizmit. Jam i emocionuar dhe tejet i interesuar për të bashkëpunuar dhe nxjerrë në dritë këtë punë të bërë dhe historinë e besimit të paqtë bektashian në Shqipëri e kudo në botë..!
Anxhelo Masafra: “..Është sit ë thuash një mrekulli. Ka dashur Zoti, prandaj na eka dhuruar ne bijve të tij në tokë. Çdo vullnet i Tij, gjen shprehjen e vet më të mirë në ato vende ku njerëzit lindin, rriten dhe udhëtojnë jetën e tyre fizike, me dëshirën për t’iu afruar sa më shumë Atij… Edhe një herë ju lumtë Dede Edmond Brahimaj. Keni ngritur një godinë unike që I ka munguar bektashinjve të gjithë botës…!”
Bujar Nishani, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë: “…Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka dhënë dhe vijon të japë kontributin e saj të çmuar në krijimin dhe pasurimin e tolerancës, bashkëjetesës, paqes sociale, qetësisë shpirtërore, urtësisë, dialogut dhe respektit njerëzor, elemente kaq të rëndësishme për shoqërinë tonë, por dhe pa dyshim, për mbarë rajonin dhe realitetin ku jetojmë…Përurimi i Odeonit është një ngjarje e veçantë. ..Tek kjo faltore qendrore bektashiane, shprehja “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” trupëzohet më së miri duke gjetur vendin që meriton!”
Reshep Tayip Erdogan, Presidenti i Turqisë: “Ne ju shikojmë si përfaqësues në Ballkan të Haxhi Bektash Veliut. Këto troje me edukim, durim dhe vuajtje janë djegur në zjarrin e shkencës dhe të dashurisë, të monumenteve të shkencës dhe dijes siç është Haxhi Bektash Veliu. Unë kujtoj me vlerësim dhe respekt luftën që keni zhvilluar në shekuj për të ecur në rrugën e Haxhi Bektash Veliut, për të mbajtur të gjallë trashëgiminë e tij. Besoj se faltorja do të kryejë një detyrë tepër jetike për transmetimin e këtyre mesazheve brezave të ardhshëm. Dëshiroj të theksoj se ne si Turqi zemrën e kemi gjithmonë të hapur për Komunitetin Bektashian në Shqipëri dhe se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen mbështetjen tonë. Në emrin tim dhe popullit tim, ju shpreh konsideratë juve vëllezërve të vyer bektashi dhe nëpërmjet jush i përcjell gjithë popullit shqiptarë dashurinë dhe përshëndetjet më të përzemërta”.