Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, 2024-2025, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, uron dhe bekon gjithë fëmijët, që sot më 9 shtator 2024, nisën vitin e ri shkollor, duke i bekuar dhe duke u uruar atyre, fillim e vazhdim të mbarë në udhën e dijes, si brezi në duart e të cilit do të jetë nesër dhe fati i vendit. Në mesazhin e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, gjithashtu, uron mësuesit për këtë misionin e fisnik që ka të bëj me të ardhmen e kombit, si dhe prindërit, për angazhimin e tyre në ecurinë normale dhe sa më produktive të fëmijëve të tyre, që u ulën këtë vit, në bankat e shkollës.
“…Në këtë ngjarje të shënuar, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, uroj nga zemra dhe bekoj armatën e fëmijëve që sot u ulën në bankat e shkollës në vitin e ri mësimor 2024-2025, veçanërisht ata që nisin sot klasën e parë; prindërit e tyre për përkujdesjen që tregojnë për ‘ta, armatën e mësuesve në gjithë vendit, për misionin e tyre fisnik në mësimin dhe edukimin e brezave të fëmijëve, si dhe institucionet arsimore të vendit, për kushte sa më të mira për akomodim e mësimdhënie në shkolla. Gëzuar fillim vitin e ri mësimor 2024-2025 dhe suksese! Sa më të përkushtuar të jeni ju në përvetësimin e mësimeve dhe dashurinë për atdheun, aq më i fortë do të jetë vendi ynë i shtrenjtë. Zoti u bekoftë të gjithëve!”– thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ