E premtja e 4 tetorit 2024, është një ditë e shënuar për besimtarët e Turanit të Tepelenës, pasi është përvjetori i themelimit të teqesë së njohur bektashiane që njihet me emrin ‘Teqeja e Turanit”. Në këtë ditë, është njëkohësisht dita e pelegrinazhit tradicional vjetor. Në këtë dit, ky objekt i hershëm pret klerikë, besimtar nga Treva e Tepelenës dhe më gjerë, besimtarë e dashamirës.
“…Kjo ditë, pelegrinazhi në Teqnë e Turanit, që është një nga objektet e vjetra bektashiane në territorin e Shqipërisë dhe mbart një histori të pasur në udhën e besimit tonë të paqtë bektashian, është një ditë e veçantë. Në etapa të rëndësishme të kombit tonë, ky objekt dhe vëllezërit tanë klerikë që kanë shërbyer atje, ka shërbyer dhe si çerdhe e atdhetarisë dhe përhapjes së mësimit e gjuhës së bukur shqipe dhe ne i kujtojmë me respekt ata klerikë që kanë shërbyer në këtë teqe…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
* * *
Teqeja e Turanit, ndodhet në perëndim të fshatit Turan, Njësia Administrative Tepelenë, Bashkia e Tepelenës. Ajo është themeluar, herët ndoshta në shek. XVI, në kohën e Demir Hanit. Teqeja funksiononte rreth viteve 1900, nën drejtimin e baba Ali Turanit, i cili e shtoi teqenë me prona dhe bëri ujësjellësin me tuba qeramike nga Rrëza e Majës, deri në teqe. Ajo mori emrin e baba Ahmed Turhani, i cili lozi një rol të rëndësishme në përhapjen e bektashizmit dhe ndikoi fuqishëm në gjithë Shqipërinë e Jugut. Në vitin 1909, ai ishte anëtar aktiv i Klubit të Tepelenës. Në periudhën e rilindjes kombëtare, dhe më vonë, kjo teqe, me rolin e saj, si në çështjen e forcimit të besimit bektashian, ashtu dhe për atdhedashurinë e dijen. Në në vitin 1911, në Haxhi Bektash-Turqi, baba Ahmedi mori gradën “Gjysh”. Më 1914, teqeja u dogj nga andartët grekë dhe baba Ahmedi, me 30 dervish shkoi muhaxhir në Vlorë. Në vitin 1919, në këtë teqe, ka shërbyer edhe dervish Sejdin Canaj. Ai ndihmoi në mënyrë aktive në luftën e Vlorës më 1920. Po në këtë periudhë, ringriti teqenë me ndihmën e bashkëkombësve shqiptarëve të Amerikës. Ai ishte gjithashtu, organizator i vullnetarëve për në Luftën e Vlorës. Baba Ahmeti ishte iniciator për organizimin e Kongresin të parë bektashian në Prishtë të Skraparit (14-17 janar të vitit 1921) dhe u zgjodh kryetar i Këshillit Atnor. Historikisht, kjo ka qenë një teqe e pasur ekonomikisht. Ajo ka ndihmuar gjithashtu, luftën antifashiste. Teqeja është plaçkitur nga gjermanët në qershorin e vitit 1944. Klerikët që kanë drejtuar teqenë në vite, janë: baba Ali Turani; baba Avdyl Turani; baba Rexhep Salaria; baba Hysni Turhani; dervish Sejdin Canaj; baba Refat Kuta (1920); dervish Luto Memaliaj (1927); baba Hysniu dhe dervish Demir Shahinaj (viti 1935); baba Dulja (1939-1950). Në vitin 1940, kanë shërbyer klerikët: baba Dule Memaj; dervish Bilal Mazini dhe dervish Haxhi Osman. Më pas, këtu kanë shërbyer dervish Bilal Turani; dervish Ahmet Memaliaj dhe, në vitin 1945, baba Samiu. Ndërsa më tej, në vitin 1950, shërbyen baba Dule Turhani; dervish Bilal Turhani dhe dervish Ahmet Memaliaj. Baba Bilal Beqiraj shërbeu në Turan deri në vitin 1963. Më pas e drejtoi teqenë, baba Bajram Rrapaj, i cili kishte në administrim teqenë e Bënçës, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit 1963. Në vitin 1967, kjo teqe u drejtua nga baba Bajram Rrapaj dhe baba Ahmet Goxhaj. Nga viti 2014 e në vijimësi, në këtë teqe shërben
Teqeja u mbyll në vitin 1967. U rihap më 1996. Rindërtimi i plotë i saj u bë nën drejtimin e dervish Mikel Onjeas.